Ekzekutimi i trefishtë në Memaliaj, ku shënjestër ishte një prej viktimave, Shyqyri Kalemi, dyshohet se është në vazhdën e sagës së hakmarrjes ndaj fisit të 74-vjeçarit.
Viktima është babai i Andrea alias Adriatik e Zamir Kalemit, si dhe daja i Aleksandër Sadikajt të ekzekutuar në Qershor të 2022. Ky i fundit u hodh në erë me tritol teksa lëvizte në autostradën Tiranë-Elbasan.
Ishte pikërisht vrasja e 29-vjeçarit, ajo që pasoi një seri ngjarjesh të rënda kriminale, ku në qendër kanë qenë dy fise të ndryshme. Vrasja e Sadikajt u pasua me ekzekutimin e Edmond Papës në Dhjetor të vitit 2022 në afërsi të Selitës në Tiranë.
Autor të saj, sipas policisë ishin Albano Velo dhe Andrew Bode, të cilët dyshohet se kryen vrasjen në shenjë hakmarrje për mikun e tyre, Aleksandër Sadikaj. Për këtë ngjarje në atë kohë u hetua edhe Adriatik Kalemi, por policia dhe prokuroria nuk gjeti prova që e implikonin atë.
Pavarësisht kësaj, nga ky moment ndaj Kalemit janë organizuar 2 atentate. Fillimisht në Gusht të 2023, ai u qëllua në një ishull të Greqisë, ku mbeti i plagosur.
Pasi i shpëtoi këtij sulmi, 4 muaj më vonë, Kalemi u sulmua sërish, kësaj herë në burg nga një egjiptain, i cili e plagosi atë me thikë. Megjithatë, edhe kësaj radhe ai arriti të mbijetojë.
Vetëm 1 muaj më pas, ekzekutimit i shpëtoi i vëllai i tij, Zamir Kalemi, ndaj të cilit u lëshuan breshëri plumbash teksa lëvizte me makinë në Unazën e Madhe të Tiranës.
Të gjitha këto ngjarje po analizohen nga grupi hetimor, tashmë për të zbuluar nëse pas tyre fshihen të njëjtët vrasës dhe organizatorë.
Tv Klan