Mbi 1 vit nga shpallja në kërkim për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në Tiranë, policia arrestoi 45-vjeçarin Edvin Bode, i njohur edhe me emrin Andrew.
Ai dyshohet nga Prokuroria e Tiranës se ka pasur rolin e qitësit në vrasjen e shënuar në 16 Dhjetor 2022 në zonën e Selitës në kryeqytet.
Bode u arrestua në Memaliaj, i fshehur në banesën e 42-vjeçarit Julian Kalemi, i cili u prangos gjithashtu pasi kishte strehuar të shumëkërkuarin.
Gjatë të njëjtit operacion të zhvilluar nga Policia e Gjirokastrës në bashkëpunim me forcat RENEA në pranga përfundoi edhe një personazh tjetër i njohur për autoritetet, Andrea alias Adriatik Kalemi.
Në banesën e tij u gjetën armë të llojeve të ndryshme, mbi 40 mijë Euro, nje sasi lekësh e dollarësh.
Më 21 Korrik të këtij viti, babai i Kalemit mbeti viktime e nje atentati në lokalin e tij në Memaliaj, bashkë me dy persona të tjerë.
Policia dyshon se Andrea Kalemi po planifikonte të hakmerrej.
Të arrestuarit në këtë operacion janë lidhje shoqërore e shtetasit Aleksandër Sadikaj, i ekzekutuar në një atentat në verën e 2022 me shpërthim eksplozivi pranë rrethrrotulimit të TEG-ut në Tiranë.
Hetuesit besojnë se vrasja e Edmond Papës në Dhjetor të të njëjtit vit ka ndodhur për hakmarrje, si pasojë e përplasjeve për trafikun e drogës. Të gjithë personat që u verifikuan dhe u përfolën si të përfshirë në atë ngjarje kanë rënë pre atentateve.
Por edhe pse në dokumentet hetimore të dosjes për vrasjen e Edmond Papës flitet hakmarrje që lidhet me vrasjen e Aleksandër Sadikajt, ekzekutimi i këtij të fundit mbetet ende pa autor.
Tv Klan