Shteti Islamik kërcënon me sulme terroriste Vatikanin gjatë Krishtlindjeve. Portali SITE që mbikëqyr aktivitetin e mediave xhihadistëve në internet ka zbuluar një poster, një fotomontazh ku shfaqet një person që drejton një automjet dhe që futet me shpejtësi në sheshin para bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan. Në poster shkruhet “Gjak Krishtlindjesh, kështu që prisni”.
Sheshi Shën Pjetër mbledh dhjetëra mijëra besimtarë nga e gjithë bota gjatë festave të krishtera, të cilët ndjekin shërbesat e drejtuara nga Papa.
Hyrja me automjete përmes zonave të këmbësorëve është taktika e përdorur shpesh kohët e fundit, nga militantët e Shtetit Islamik për kryerjen e sulmeve terroriste.
I tillë ishte sulmi i 19 dhjetorit 2016 në tregun e Krishtlindjeve në Berlin. Tuniziani Anis Amri hyri me kamion përmes tregut, duke vrarë 12 persona e duke plagosur dhjetëra të tjerë. Sulme të ngjashme pasuan edhe në kryeqendra të tjera europiane si Nisë, Londër, Stokholm e Barcelonë. Vatikani ka qenë objekt kërcënimesh të vazhdueshme edhe në të shkuarën nga Shteti Islamik.
Tv Klan