Shmangia e abuzimeve në sistemin farmaceutik dhe atë spitalor. Ky është synimi i radhës i Institutit të Kujdesit Shëndetësor që pritet të realizohet nëpërmjet digjitalizimit të sistemit. Ky sistem do të mundësojë krijimin e një regjistri barnash ku do të përfshihen dhe barnat e rimbursueshme, çmimi apo data e skadencës.
Elvana Hana: “Kjo do të bëjë të mundur që të gjithë që janë kontraktor me ne dhënës të shërbimit do të jenë të lidhur online dhe të dhënat do të vijnë në moment kur kryhet shitja e medikamentit, kur kryhet vizita e pacientit në qendrën shëndetësore apo kur kryhet regjistrimi i pacientit në spital. Kjo natyrisht që do të lejojë që të kontrollohet më mirë sistemi i referimit, do të lejojë që të kontrollohet më mirë sistemi i barnave, por edhe të gjithë shpenzimet që ne kryejmë në momentin që ne do të kryejmë këto shpenzime nga pacienti.”
Por digjitalizimi i shërbimit shëndetësor i cili është në fazën e tenderimit të software-it do të bëjë të mundur që pacientët të përdorin kartën e identitetit si librezë shëndetësore.
Elvana Hana: “Tani është faza e tenderimit deri në fund të vitit. Në fund të vitit do të fillojë faza e aplikimit të vitit 2010, do të fillojë faza e aplikimit dhe ky sistem do të bëjë të mundur pastaj lidhjen me numrin e kartës së identitetit. Pra do të bëjë të mundur që një vit më vonë të përdoret karta e identitetit si librezë shëndetësore.”
Digjitalizimi i sistemit farmaceutik synon gjithashtu edhe evitimin e shitjes së barnave të rimbursueshme nga depot pa pasur gjendje apo pa bërë hyrjen./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami