Një pjesë e mirë e klubeve të futbollit do të përfshihen në merkaton e Janarit, disa për të përforcuar ekipin ndërsa të tjerë për të arkëtuar nga lojtarët që kërkon tregu. Edhe Empolit i duhen përforcime, por me rregullat e “Fair Play Financiar”, klubi duhet të ruajë ekipilibrin në balancë.
Nëse i duhen futbollistë, atëherë duhet të shesë, por merkato në hyrje mbahet peng nga Ardian Ismajli. Emri i tij është më i lakuari. Qendërmbrojtësi është rritur në mënyrë të dukshme dhe është kthyer në një nga shtyllat kryesore të skuadrës.
Ismajli ka tërhequr interesin e Napolit, i cili e konsideron atë një profil interesant për të ardhmen. Futbollisti i kombëtares shqiptare që në disa nga ndeshjet e fundit ka mbajtur shiritin e kapitenit, ka një kontratë me Empolin që do të skadojë në Qershor.
Kështu që në respekt edhe të rregulloreve të FIFA-s, që prej datës 1 Janar menaxheri i tij do të jetë në gjendje të nisë bisedimet zyrtarisht, madje edhe të nënshkruajë kontratë për sezonin e ardhshëm.
Mediat italiane raportojnë se Presidenti Fabrizio Corsi do të përpiqet ta shesë lojtarin për të përfituar sa më shumë tani në Janar pasi në Qershor mund të jetë i detyruar të pranojë largimin e tij me parametra zero, pra pa asnjë përfitim.
Ndërkohë, Juventus po monitoron situatën. Torinezët mund të përfitojnë pasi të vlerësojnë edhe gjendjen e futbollistit dhe sa i vlefshëm mund të jetë ai për ekipin e Thiago Motta në të ardhmen.
Tv Klan