350 mijë pensionistë që nuk kanë pasaporta do të mund të tërheqin në zyrat postare ku marrin pensionet kuponin për pasjen me letërnjoftimet elektronike, nga ana tjetër ata pensionistë që e kanë përfunduar procesin e aplikimit për kartat e identitetit do të mund të marrin kompensimin e caktuar nga qeveria, së bashku me pensionet në datat përkatëse.
Për të realizuar më së miri këtë proces, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nënshkruar një marrëveshje me Postën Shqiptare.
Evelina Koldashi: “Përfitojnë të gjithë pensionistët që kanë pension minimal, pra janë masa e pensionit të tyre është deri në 9.515 lekë në muaj dhe nuk kanë pasaportë për të lëvizur jashtë vendit, si dhe pensionistët që janë mbi nivelin minimal, por që kanë në ngarkim të tyre njerëz pa të ardhura. Kategoria e parë merr përfitim në masën, merr kompensim në masën 1 mijë lekë, ndërsa kategoria e dytë merr kompensim në masën 4 mijë lekë. Aktualisht ka rezultuar pa pasaportë 350 mijë pensionistë, nga të cilët 50 mijë kanë aplikuar deri në këtë moment, ndërsa në nivelin e pensionit minimal pensionistët që do të përfitojnë janë rreth 180 mijë”.
Arqile Gorea: “Unë desha të shtoj që nga ana e Postës Shqiptare po merren që të gjitha masat që ky proces ose ky përfitim të arrijë pa probleme tek të gjithë ata që e përfitojnë.”
Për të marrë kompensimin që u takon pensionistët duhet të dorëzojnë në zyrat postare ku dhe marrin pensionin, një kopje të formularit të aplikimit ose të kartës së identitetit./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami