Ministri i Brendshëm i Italiasë, Matteo Salvini ka akuzuar autoritetet malteze se po ndihmojnë anijet eme migrantë që të arrijnë në Itali, në vend se t’i pranojnë ata në shtetin e tyre.
Kjo nuk është hera e parë që një udhëheqës i partisë italiane të ekstremit të djathtë, partisë League, akuzon Maltën se po u shmanget përgjegjësive, kur bëhet fjalë për trajtimin e fluksit të vazhdueshëm të migrantëve nga Afrika e Veriut.
Sipas Ministrisë që udhëheq Salvini, të enjten, autoritetet italiane kishin njoftuar partnerët e tyre maltezë se një anije me 13 migrantë ishte në ujërat malteze dhe kishte nevojë për shpëtim, pasi mjeti me të cilin lundronin kishte mbetur pa karburant.
E njëjta anije kishte arritur në Lampedusa të Siçilisë të premten dhe migrantët u kishin thënë autoriteteve italiane se ata janë ndihmuar në det nga persona me uniformë “si të rojës bregdetare” të Maltës.
Në deklaratë, Salvini e quajti këtë “akt armiqësor”.
“Disa shtete anëtare të BE-së nuk dua t’ia dinë për migrantët dhe na i sjellin ne, përderisa Brukseli po na kërcënon për sanksione rreth buxhetit tonë. Ne nuk do të frikësohemi”, tha ai.
Qeveria e re në Romë – që erdhi në pushtet në qershor – ka ndaluar ankorimin në portet e saj të anijeve të shpëtimit, të cilët ndihmojnë migrantët.
Në anën tjetër, ministri i Brendshëm maltez, Michael Farrugia i bëri thirrje Salvinit që të mos e kritikojë Maltën se nuk po kryen detyrat e saj, por të fillojë të shikojë se çfarë mund të bëjë më shumë Italia, sa i përket sigurisë së migrantëve në det.
“Është Italia që vazhdimisht dështon t’u përmbahet konventave ndërkombëtare për kërkim-shpëtim. Malta gjithmonë ka respektuar detyrimet e saj”, tha Farrugia. /REL