Brenda presidencës suedeze, Shqipëria duket se do të marrë përgjigje në lidhje me kërkesën për anëtarësimin në BE. Shpresat jepen si nga kryeministri i Suedisë vend i cili ka presidencën e radhës së BE-së ashtu edhe ministri i jashtëm italian Franko Frattini.
Kryeministri suedez Frederik Rainfeld, ka pranuar se brenda familjes evropiane është diskutuar lidhur me zgjerimin. Rainfeld është optimist se gjatë këtij viti do ti jepet përgjigje kërkesës së Shqipërisë dhe do të hapen negociatat për anëtarësimin e Kroacisë .
Rainfeld shprehet se nuk ka pengesa që kjo të behet e mundur. Ndërkohë ministri i jashtëm italian, Franko Frattini, jep garanci se Italia do të vazhdojë të jetë një avokate e fortë për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian. Ndërsa shton se kërkesa e vendit tonë është e mundur që të shqyrtohet brenda një kohe të shkurtër.
Franko Frattini: “Situata tani është e pjekur, për vlerësimin e aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim. Italia ju mbështet, presidenca aktuale, ajo suedeze, gjithashtu ju mbështet, mbrëmë ne patëm një diskutim të shkurtër rreth kësaj, dhe zoti Bildt, duke përmendur Shqipërinë, gjate bisedave në tryezën e këshillit tha se duhet të ecim përpara. Kështu që unë shpresoj se asnjë vend anëtar nuk do të ketë problem lidhur me kandidimin e Shqipërisë. Nëse do të merret një vendim pozitiv për Shqipërinë kjo do të varet nga vlerësimet teknike të komisionit evropian, politikisht mendoj se Evropa është gati t’i japë Shqipërisë dritën jeshile.”
Politikisht vendet anëtare të BE-së ka dhënë miratimin tyre edhe për liberalizimin e vizave tha Frattini, por mbeten për tu dhënë përgjigje për disa çështje teknike për të cilat besoj se Shqipëria do t’i përgjigjet së shpejti dhe shpresoj gjithashtu të përkthehen në rezultate konkrete përpara fundit të këtij viti./tvklan.al
Gazetare: Elia Zotkaj