Të gjithë presin festat e Krishtlindjeve për të zgjuar atë fëmijën e vogël që kanë brenda vetes, që ndonjëherë mund të jetë i lodhur, i mërzitur apo i stresuar nga përditshmëria. Të gjithë presin Krishtlindjet për të festuar dhe kujtuar ditët e vitit që po lenë pas.
Megjithatë duke e parë nga një këndvështrim tjetër, vitet e fundit shohim që zbukurimet e Krishtlindjeve kanë nisur shumë më herët se zakonisht.
I ftuar në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan pastor Paulin Vilajeti tha se vetë njerëzit janë duke shkatërruar atë që në fakt është qëllimi i festës.
Paulin Vilajeti: Zbukurimet e Krishtlindjeve kuptimin e kanë pasur më 6 Dhjetor, i gjithë qëllimi i kësaj ka qenë se 6 Dhjetori quhet si dita e lindjes së Shën Nikolait, apo Shën Nikollës dhe për shkak se Shën Nikolla ishte personi që në historinë e tij, që tashmë është legjendë, ai ishte personin që bënte dhurata.
Aldo: Pra zbukurimet vihen më 6 Dhjetor dhe hiqen më 6 Janar, pra ka një sens zbukurimi dhe prania e festës. Ne jemi në Nëntor, por ne planifikojmë, matim kohën me Krishtlindjen.
Paulin Vilajeti: Ka një të vërtetë shumë të madhe sepse edhe njerëzit lodhen me gjithë këto zbukurime, domethënë ti vendos një pemë në mes të shtëpisë dy muaj para dhe ditë e parë dhe të dytën ndez dritat, kurse të tretën përton, ditën e katërt thua “kur do të vijë dita që të hiqen”, domethënë vetë ajo që ne po bëjmë po shkatërron atë të cilën festa ka qëllimin.
Duke kritikuar zbukurimet e Krishtlindjeve që kanë filluar të vendosen dy muaj para, ai u shpreh se kjo është e tepruar, ama tha gjithashtu se pavarësisht çdo gjëje nuk e largon shpirtin e festës. Edhe pse u tregua kritik për këtë pjesë, pastori habiti kur tha se kishte 4 ditë që kishte vendosur pemën e Krishtlindjes, pasi më vonë do të ishte shumë i ngarkuar me punë dhe s’do të kishte mundësi. “E vërteta” e tij habiti drejtuesin e programit, Aldon, i cili nuk kurseu të qeshurat dhe batutat.
Paulin Vilajeti: Unë kam katër ditë që e kam vendosur pemën në shtëpi.
Aldo: Po ti çne? Apo presioni?
Paulin Vilajeti: Po e vura sepse në ato ditë që vendoset jam aq i zënë sa nuk kisha kohë dhe thashë “punë për t’u bërë, hajde se po e bëj tani”./tvklan.al