Natën e kaluar, jugu i Libanit përjetoi një prej valëve më të rënda të bombardimeve izraelite që prej nisjes së luftës në Rripin e Gazës, Tetorin e kaluar.
Avionët izraelitë shkatërruan mbi 100 raketahedhës të Hezbollahut në zonat jugore të këtij vendi, të përdorura nga militantët e grupit pro-iranian për të goditur qytetet veriore të Izraelit, siç duket edhe në këtë filmim të shpërndarë nga ushtria izraelite.
Bombardimet ndodhën pasi ushtria izraelite paralajmëroi një fazë të re në luftën kundër Hezbollahut, që vazhdimisht ka shenjestruar me raketa veriun e Izraelit, në mbështetje të militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës.
Bombardimet pasuan valën e shpërthimeve 2-ditore në pajisjet elektronike të komunikimit të militantëve të Hezbollahut, me 32 viktima e rreth 3500 të plagosur. Izraeli nuk e ka marrë përsipër autorësinë e këtij sulmi, por në media hidhen dyshime të forta se arkitekt i këtyre akteve është shërbimi izraelit i zbulimit Mosad, që mesaduket e ka paralizuar plotësisht këtë organizatë.
Spitalet në gjithë Libanin janë mbingarkuar me të plagosur nga vala e këtyre sulmeve. Kreu i Hezbollahut, Hasan Nasrallah paralajmëroi pasditen e të enjtes, hakmarrje të ashpër, pasi siç tha ai, këto sulme kishin kaluar një vijë të kuqe.
Tv Klan