Lindja e Mesme është edhe një herë në prag të një lufte të thellë dhe shkatërruese mes dy protagonistëve që po përballen me njëri-tjetrin këto 45 vitet e fundit. Por momenti i tanishëm është një prej më të rrezikshmëve për të gjithë rajonin.

Irani, i cili u bë Republikë Islamike pas rrëzimit të Shahut në 1979, është betuar prej kohësh se do të shkatërrojë shtetin e Izraelit, të cilin e quan “regjim zionist”. Izraeli akuzon Gardën Revolucionare të Iranit për përhapjen e dhunës në Lindjen e Mesme përmes aleatëve të saj, një pikëpamje që pranohet nga disa qeveri arabe të ndryshme.

Izraeli është gati që të hakmerret kundër Iranit pas sulmit të së martës me raketa balistike, disa prej të cilave e çanë sistemin e mbrojtjes ajrore të vendit. Irani thotë se sulmi ishte si përgjigje e dy vrasjeve nga Izraeli. Bëhet fjalë për atë të liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah në Bejrut dhe të liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran.

Pyetja lind: Çfarë do të ndodhë pas kësaj?

Izraeli, por edhe aleati i saj më i afërt, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë premtuar se do ta ndëshkojnë Iranin për lëshimin e 180 raketave në Izrael. “Irani do ta paguajë shtrenjtë”, tha kryeministri Benjamin Netanyahu.

Përmbajtja që aleatët i kërkuan Izraelit herën e kaluar kur pati një sulm të tillë në Prill, tashmë është më e heshtur si kërkesë. Gjithashtu duke parë vendosmërinë e Izraelit për të mposhtur të gjithë armiqtë njëkohësisht, në Liban, Gaza, Jemen dhe Siri, duket se qeveria e Netanyahu-t nuk është duke e menduar të frenohet.

Ka gjasë që tashmë izraelitët të mos diskutojnë nëse do duhet ta godasin Iranin dhe kur, por sa fort do ta bëjnë atë gjë.

Të ndihmuar nga satelitët inteligjentë të SHBA-së dhe agjentët në terren të Mossad-it në Iran, Forca e Mbrojtjes së Izraelit ka një gamë të gjerë shënjestrash që të zgjedhë. Ato mund të ndahen në tre kategori:

Ushtarake – Një objektiv mund të jenë bazat nga të cilat Irani lëshoi raketat balistike. Pra kjo do të thotë platforma lëshimi, qendra komandimi dhe kontrolli, depozita me naftë dhe bunkerë magazinimi. Ushtria mund të shkojë më tej saqë të godasë edhe Gardën Revolucionare, mbrojtjen ajrore dhe magazinat me raketa. Madje mund të përpiqet të vrasë drejtues kyçë të përfshirë në programin e raketave balistike të Iranit.

Ekonomike – Kjo do të përfshinte asetet më vulnerable shtetërore të Iranit, impiantet petrokimike, ato që prodhojnë energjinë dhe mundësisht edhe interesat e saj për anije. Sidoqoftë, kjo mund të jetë një lëvizje që mund të përfundojë duke dëmtuar jetën e njerëzve të zakonshëm shumë më tepër se çdo sulm ndaj ushtrisë.

Objektivat nukleare – Kjo është gjëja e madhe për Izraelin. Është një fakt i njohur prej mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, IAEA, se Irani po pasuron uranium përtej 20% të nevojshëm për energjinë bërthamore civile. Izraeli dhe shtete të tjera dyshojnë se Irani po përpiqet të arrijë momentin që brenda një afati kohor shumë të shkurtër të jetë në gjendje të ndërtojë një bombë bërthamore. Vendet në listën e shënjestrave të mundshme janë Parchin-i, epiqendra e programit bërthamor ushtarak të Iranit, reaktorët kërkimorë në Teheran, Bonab dhe Ramsar si dhe ndërtesat kryesore në Busher, Natanz, Isfahan dhe Ferdoë.

Një pjesë e madhe e përllogaritjeve të izraelitëve është të kuptojnë edhe përgjigjen e Iranit pas këtyre sulmeve. Pala iraniane thotë se pas lëshimit të raketave drejt shënjestrave ushtarake çështja mes dy shteteve është në barazim duke paralajmëruar që nëse Izraeli hakmerret, ata do të kundërpërgjigjen sërish.

“Kjo është vetëm një grimcë e kapaciteteve tona. Nëse regjimi zionist i përgjigjet operacionit të Iranit, do të përballet me sulme shkatërrimtare”, tha presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian.

Irani nuk mund ta mposhtë Izraelin ushtarakisht. Forca e saj ajrore është e vjetër dhe e varfër. Mbrojtja ajrore e saj po ashtu “fut ujë” dhe i është dashur prej vitesh të tëra të përballet me sanksione perëndimore.

Megjithatë ka ende një sasi të madhe raketash balistike e jo vetëm, dronë të mbushur me eksplozivë dhe milici të shumta aleate në Lindjen e Mesme. Raketat e radhës të Iranit mund të synojnë zonat e banuara dhe jo bazat ushtarake. Sulmi nga një milici e mbështetur nga Irani në objektet e naftës të Arabisë Saudite në vitin 2019 tregoi se sa të cënueshëm janë fqinjët e saj për të sulmuar.

Marina e Gardës Revolucionare që funksionon në Gjirin Persik ka anije sulmuese me raketa të vogla, të shpejta, të cilat potencialisht mund ta mposhtin mbrojtjen e një luftanije të Flotës së 5 të Marinës së SHBA-së nëse ndodh një sulm i organizuar. Nëse do të kishte urdhra për të bërë diçka të tillë, ata mund të përpiqen të vendosin mina në ngushticën e Hormuzit duke ndërprerë rrjedhën e deri në 20% të eksporteve ditore të naftës në botë, diçka që do të kishte një ndikim të madh në ekonominë globale.

Dhe pastaj janë të gjitha bazat ushtarake amerikane të vendosura anekënd në anën arabe të Gjirit, nga Kuvajti në Oman. Irani ka paralajmëruar se nëse sulmohet, nuk do të kundërpërgjigjet vetëm ndaj Izraelit, por ndaj çdo vend që e percepton se e mbështet Tel Avivin për sulmet.

Këto janë vetëm disa nga skenarët që ekspertët e mbrojtjes në Tel Aviv dhe Uashington do të marrin tani në konsideratë.

Shkrim nga korrespondenti i BBC, Frank Gardner

Përshtati në shqip Gramoz Pisha, Tvklan.al