Izraeli tha se do të heqë detektorët metalikë, të vendosur në hyrje të një vendi të shenjtë në Jerusalem.
Detektorët kanë zemëruar myslimanët dhe kanë çuar në dhunë, që ka rezultuar me vrasjen e së paku tetë personave.
Një deklaratë e lëshuar sot nga kabineti i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, thotë se detektorët do të zëvendësohen me metoda më pak të dukshme të mbikëqyrjes.
Izraeli i ka vendosur detektorët metalikë më 21 korrik në hyrje të kompleksit të xhamisë Al-Aqsa në Jerusalem, pas vrasjes së dy policëve më 14 korrik.
Vendi konsiderohet i shenjtë edhe nga myslimanët, edhe nga hebrenjtë.
Shumë palestinezë kanë refuzuar të kalojnë nëpër detektorë, duke u falur në rrugët jashtë portave.
Në dhunën që ka pasuar vendimin për rritje të sigurisë, së paku pesë palestinezë janë vrarë në përleshjet me forcat izraelite, ndërsa tre izraelitë janë therur për vdekje nga një palestinez.
Të hënën, Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se kriza duhet të zgjidhet shpejt, ndërsa një zyrtar i lartë amerikan ka arritur në Izrael për të kërkuar mënyra për të ulur tensionet. /REL