Jasir Asani i jep lamtumirën Gwangju. Sulmuesi i kombëtares shqiptare e ka mbyllur me dëmtim sezonin aktual, që është edhe i fundit me fanellën e skuadrës koreane.

Asanit i skadon kontrata në fund të këtij viti kalendarik, diçka që përmes një “Instastory” lë të nënkuptojë edhe largimin nga ky ekip.

“Për shkak të një dëmtimi nuk mund të jem pjesë e ekipit në ndeshjen e fundit të këtij sezoni. Për mua përfundon një sezon i gjatë, ku munda të jap maksimumin dhe të ndihmoj skuadrën. Dua të falenderoj shokët e skuadrës, trajnerin, drejtuesit dhe të gjithë tifozët për mbështetjen e tyre“, ka shkruar “mëngjarashi” kuqezi.

29-vjeçari po kalon një moment të mirë në këtë pikë të sezonit, duke qenë edhe golashënuesi më i mirë i Champions League aziatike me 7 realizime.

Në 20 ndeshje përgjatë vitit 2024, Asani ka shënuar 10 herë për t’u shndërruar në një element kyç për planet e Gwangju.

Gjithsesi, largimi me parametra zero dhemb për ekipin korean që e humbet pa asnjë fitim financiar.

Prej kohësh, Asani ka qenë në qendër të merkatos, ku shpesh është lakuar për një kalim në La Ligën spanjolle.

Las Palmas ka shfaqur interes për yllin e kombëtares shqiptare, që ka tërhequr vëmendjen me mënyrën e shënimit të golave edhe me kuqezinjtë.

Në dy sezonet e tij në Korenë e Jugut, Asani ka shënuar 17 gola.

Klan News