Ka nisur me një larmishmëri aktivitetesh Java Kulturore Franceze ku përfshihen koncerte, ekspozita, kulinari, lojëra dhe shfaqje cirku.
Vetë Ambasadorja franceze Catherine Suard në studion e Klan News dha më shumë detaje për këto aktivitete tepër të rëndësishme që përfaqësohen edhe nga instalacione të ndryshme tek Piramida e Tiranës.
Catherine Suard, ambasadore e Francës në Shqipëri: Ideja është që të jemi sa më të pranishëm në Shqipëri, edhe pse ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera mes dy vendeve tona. Përmes kubit të vendosur tek Piramida, Franca do të jetë prezente gjithmonë për të gjithë ata që kanë studiuar në Francë apo të gjitha ata që adhurojnë kulturën dhe historinë franceze. Por qershia mbi tortë do të jetë edhe spektakli në ujë tek liqeni i Tiranës.
Ambasadorja franceze Suard tregon se Shqipëria është një vend shumë i bukur dhe liston disa nga arsyet pse zgjidhet nga vizitorët francezë.
Catherine Suard, ambasadore e Francës në Shqipëri: Unë vetë kam qenë në Gjirokastër dhe kam patur një mikpritje fantastike atje. Por një vend tjetër i preferuar nga francezët është edhe Korça, pasi janë të interesuar për të njohur edhe më shumë kulturën dhe vlerat e saj. Megjithatë ata kanë vizituar më shumë Gjirokastrën dhe Beratin për shkak se janë në listën e trashëgimive botërore të Kombeve të Bashkuara. Por francezët pëlqejnë edhe plazhet në Shqipëri. Kuzhinën dhe ushqimet bio padiskutim.
Vitet e fundit në shtimin e fluksit të francezëve që kanë vizituar Shqipërinë kanë ndikuar edhe shkrimet e shumta nga mediat më të mëdha të Francës për bukuritë e vendit tonë.
Klan News