Nga Korça ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës kërkuan nga autoritetet shqiptare që të vijojnë me reformat e nevojshme për rrugën e vendit drejt Bashkimit Europian.
Carl Bergner, ambasador i Gjermanisë në Shqipëri: Ne i mirëpresim hapat e fundit që janë ndërmarë nga ana e qeverisë. Mendoj që është një tregues i fortë për besimin që duhet të kenë shtetet anëtare të Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë. Një kapitull është hapur dhe pritet që të hapen edhe kapituj të tjerë në të ardhmen që do të thotë se negociatat e vërteta do të fillojnë dhe ky proces transformimi që Shqipëria po i nënshtrohet përforcimi i vlerave europiane do të thellohet. Ne vlerësojmë punën që ekipi shqiptar ka bërë deri tani.
Catherine Suard, ambasadore e Francës në Shqipëri: Ashtu siç e theksoi Presidenti Macron në vizitën e tij në Shqipëri, jemi të lumtur për hapat e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe jemi të bindur që ato do të vazhdojnë. Procesi i integrimit është i rëndësishëm për transformimin e shoqërisë shqiptare.
Dy diplomatët europianë shprehën edhe njëherë qëndrimin se shtetet e tyre mbështesin punën e institucioneve të reja të drejtësisë.
Carl Bergner, ambasador i Gjermanisë në Shqipëri: Qëndrueshmëria e institucioneve të rëndësishme jo vetëm SPAK, por edhe institucione të tjera ligjzbatuese është pjesë e transformimit të aksesit në BE. Ne mbështesim dhe vlerësojmë punën e SPAK në këtë aspekt.
Catherine Suard, ambasadore e Francës në Shqipëri: Ne e mbështesim punën e SPAK. Bashkimi Europian e mbështet këtë institucion në punën e rëndësishme që po bën.
Dy ambasadorët i bënë këto deklarata pas ceremonisë së përvitshme në varrezat e ushtarëve francezë në Korçë në ditën që shënon armëpushimin e vitit 1918 dhe fundin e Luftës së Parë Botërore.
Klan News