Britanikët pritet që të përballen me javën më të ftohtë të dimrit, teka bora dhe akulli kanë pushtuar vendin.

Gjatë natës së shkuar reshjet e dëborës shkaktuan të paktën 4 aksidente përgjatë autostradës M20 në juglindje të Anglisë. Të paktën 6 automjete u përfshinë në aksidente, ndërsa njëra prej tyre përfundoi e përmbysur.

Fatmirësisht nga këto ngjarje raportohet vetëm për dëmtime të lehta, ndërsa drejtuesit e mjeteve janë paralajmëruar të bëjnë kujdes për shkak se rrugët janë mbuluar nga dëbora.

Met Office konfirmoi se disa prej rrugëve ka gjasë që të mbeten nën pushtetin e akullit për disa ditë me radhë.

Një zëdhënës i zyrës meteorologjike tha se deri më tani nata më e ftohtë shënoi temperatura -13.7 gradë Celcius. Megjithatë ai paralajmëroi se netë më të ftohta pritet që të shënohen këtë javë.

Vala e të ftohtit, sipas mediave vendase, pritet që ta mbajë vendin të mbërthyer deri fundjavën e ardhshme.

/tvklan.al