Edhe pse jemi në mes të muajit Tetor, kushtet e motit, por edhe temperaturat këtë javë, do të pësojnë rritje, duke arritur vlera tipike të fillimit të verës.

Lajda Porja, Meteoalb: Moti do të jetë i kthjellët, do të kemi intervale të gjata me kthjellime, vranësira të lehta dhe kalimtare dhe të paktën deri ditën e premte, do të kemi një mot pa reshje. Përsa i përket vlerave termike, edhe pse mëngjesi është relativisht i freskët, maksimalet në zonat malore ngjiten në 21 gradë. Ndërkohë, sot presim 28 gradë, nga e marta, e mërkura dhe e enjtja do të ketë sërish rritje duke bërë që ditën e enjte të jemi në 30 gradë Celsius. Edhe pse jemi në Tetor, temperatura 30 gradë i përket muajit Qershor. 

Sipas sinoptikanes, të premten pas mesditës pritet të shtohen vranësirat dhe të ketë reshje shiu.

Lajda Porja, Meteoalb: Përsa i përket vranësirave dhe reshjeve, presim që të vijnë kryesisht ditën e premte në pjesën e dytë të ditës, po ashtu edhe fundjava do të jetë e paqëndrueshme.

Sipas parashikimeve të sinoptikanëve i gjithë gadishulli i Ballkanit këtë javë do të përjetojë një verë të dytë.

Klan News