Reshje të dendura shiu dhe shpesh herë në formën e shtrëngatave kanë përfshirë gjithë vendin këtë fillim jave.

Më intensive reshjet pritët të jenë në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë dhe Durrës, por edhe në qarqet Dibër, Elbasan, Tiranë dhe Berat priten reshje deri lokalisht mesatare.

“Mbetemi në mbizotërimin e vranësirave të shpeshta të cilat do të bëjnë që herë pas here në territorin shqiptar në ultësirën perëndimore të kemi momente të pakëta me reshje shiu, kryesisht reshjet do të jenë të karakterit lokal. Duke filluar nga dita e mërkurë dhe në vijim do të kemi përmirësim gradual të kushteve të motit duke bërë që të kemi intervale me kthjellime, kalime të shpeshta të vranësirave”, thotë sinoptikani Hakil Osmani.    

Në krahasim me fundjavën e shkuar, temperaturat maksimale të ajrit do të pësojnë ulje me gati 10 °C.

“Dita e martë do të sjellë një tjetër rënie të temperaturave të ajrit. Më e ndjeshme në orët e para të mëngjesit duke bërë që vlerat minimale të regjistrohen në 0 apo 1 gradë Celcius në qytetet e zonave malore, ndërsa maksimumet do të jenë jo më shumë se vlera 13 gradë Celcius të regjistruara këto në vijën bregdetare. Përsa i përket qyteteve të zonës së ulët, pritet që maksimumet, duke përfshirë këtu edhe kryeqytetin të luhaten nga 12 në 13 gradë Celcius”, shprehet Osmani.

Meteorologët parashikojnë se për shkak edhe uljes së ndjeshme të temperaturave në  Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 400 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë bore.

“Në verilindje do të kemi rishfaqje të reshjeve të dëborës. Kjo rënie e menjëhershme e temperaturave të ajrit për rajonin e Ballkanit, vjen si pasojë e një mase ajrore të ftohtë e cila po godet rajonin e Ballkanit do të jetë e përkohshme, do të sjellë rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit, here pas here do të sjellë dhe problematika përsa i përket akseve rrugore pasi do të kemi rishfaqje të ngricave pasi do të kemi temperatura të cilat do të jenë në vlerën negative për të paktën dita e martë dhe dita e mërkurë. Më pas, kemi rikuperim të tyre”, tha Osmani.   

Sinoptikanët parashikojnë se problematike do jetë edhe era, e cila pritet të fryjë mesatare deri e fortë në të gjithë vendin.

Klan News