Krahas investimeve në infrastrukturën urbane, jashtë vëmendjes të Bashkisë së Tiranës nuk mbeten as ato në art dhe kulturë. Nga kinemaja “Maks Velo” në Laprakë ku u dha shfaqja e parë pas rikonstruksionit të plotë të saj, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se investimet po shërbejnë edhe për rritjen e vlerës së pronës për qytetarët.
“Pritshmëria ime është që këtu të kemi një garë të shëndetshme me kinema “Agimin” dhe të përpilojmë një listë me aktivitete. Qendra e një qyteti është atje ku ka jetë. Po ka jetë këtu, atëherë kjo është qendra e Tiranës dhe nëse do e mbushim me jetë kinemanë, jam i bindur se aktivitetet e sheshit “Skënderbej” do të duken periferike, krahasuar me cilësinë e produkteve që mund të shohim e shijojmë këtu. Shpresoj shumë që kjo ‘armë’ magjike, në vendin tonë – që duhet ta pranojmë, ka shumë toksinë, helm, thashetheme e shumë harxhime kohe – të na bëjë të vlerësojmë të bukurën dhe të fokusohemi te energjia e një pune të mirë”.
Sipas Veliajt investimet në art e kulturë e kanë bërë Tiranën Kryeqytetin Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut për vitin që vjen, titull që do të shërbejë si një shtysë për rikuperimin edhe të hapësirave të tjera.
“Krejt papritur po shikojmë se arti prodhoka edhe ekonomi. Ka shumë njerëz që thonë: “Ore, ne kemi halle të tjera, na duhet pak asfalt aty”. Kur kemi ardhur këtu për herë të parë, për asfalt s’bëhej fjalë, por sot diskutojmë sa pallate na kanë ngelur pa veshur me kapotë, ndërsa kinemaja e re është gati të pulsojë jetë për komunitetin. Sebepi i të qenit Kryeqyteti i Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut do na japë edhe më shumë shtysë, që të gjejmë ndërtesa të tjera për t’i kthyer në kinema dhe hapësira arti”.
Krahas investimve ne fushën e artit, Veliaj tha se nuk do të ndalen edhe ato infrastrukturore në njësinë nr. 11.
Tv Klan