U projektua nga vetë arkitekti në vitet ‘70
Tre javë pasi arkitekti Maks Velo u nda nga jeta, në Laprakë është inaguruar kinemaja e projektuar prej tij në vitet ‘70 dhe që nga nga sot mban emrin e tij.
“Maksi e ndoqi këtë projekt me miqtë italianë dhe kolegët shqiptarë. Sëbashku me Dianën sot kthehemi në shtëpinë e dytë të Maksit, një nga projektimet e tij në vitet ‘70, i cili u zaptua gjatë viteve të tranzicionit. Të rikthehet sot me këtë dinjitet, me dizajnin e Maksit, me emrin e Maksit, por edhe me kondicionim, ndriçimin LED, sistemin anti-zjarr, hyrje-daljet e emergjencës; pra, një bizhu në zemër të Laprakës”, u shpreh kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se me këtë investim merr më shumë formë ideja e një prej qendrave të Tiranës policentrike, ku Lapraka ka përfituar një sër investimesh.
“Filluam me shkollën “Ahmet Gashi”, pastaj me fushën sportive, këndin e lodrave, kinemanë, Rr. “Pandi Dardha”, “Lord Bajroni” dhe gjithë lagjet e tjera. Me çeljen e kinemasë besoj se kemi ofruar, veç urbanizmit fizik, edhe urbanizëm shpirtëror për Laprakën”, shtoi Veliaj.
Kinema “Maks Velo” do të shërbejë edhe si qendër për aktivitete kulturore dhe artistike. Ajo do u vijë në ndihmë artistëve të rinj, të cilët mund t’i përdorin këto mjedise për të shfaqur prodhimet e tyre.
Ky rikonstruksion u mbështet financiarisht edhe nga qeveria shqiptare dhe ajo italiane.
Tv Klan