Në asnjë ditë të vitit nuk ndjehen kaq shumë protagonistë dhe kaq të lumtur. Janë fëmijë dhe nuk e dinë se gabimet e të rriturve ndonjëherë lënë pasoja dhe dhembje te këta. Por sot nuk do të flasim për këtë anë të jetës së tyre. Pritjen se mos ndoshta një ditë do të takojnë prindërit e tyre apo ata që i kanë do të gjejnë lirinë e shumëpritur ndër vitet e ngujimit. Sot ata kanë festë, janë si gjithë të tjerët. Kjo është atmosfera festive e fëmijëve jetimë dhe të ngujuar ku rreth 120 prej tyre janë mbledhur sot në Tiranë në sallën e madhe të hotel “Dajtit” me rastin e ditës së 1 qershorit. Ideja për organizimin e kësaj feste ka qenë shumë origjinale dhe e veçantë. Emra të mëdhenj të skenës shqiptare, si Reshat Arbana, Tinka Kurti, Violeta Manushi, Roza Anagnosti dhe shumë të tjerë janë shndërruar në pak orë në familjen e madhe të këtyre fëmijëve. Disa prej tyre madje kanë qenë dhe të ftuarit specialë nëpër shtëpitë e artistëve.
“Dhe sot unë me kënaqësi të madhe, kam shumë kënaqësi që të marr një fëmijë në shtëpinë time, t’i krijoj atë mjedisin e ngrohtë familjar, ta gëzoj me diçka, të luaj me të, të qeshim bashkë, ta ndiejë veten që nuk është i vetëm.”
Sipas ideatorëve të këtij organizimi, kjo është një ide për të promovuar një traditë të kahershme, por të harruar, atë të marrjes së një jetimi në shtëpi. Këngëtarja Anita Take ka çelur festën më këngën e njohur kushtuar nënës, por atmosfera është ndezur edhe më shumë nga prania e këngëtarëve të rinj mes tyre përfaqësuesja dinjitoze e muzikës shqiptare në eurovizion Anjeza Shahini. Por surprizat nuk mbarojnë këtu. Të ftuarit e sotëm provuan një shërbim ndryshe. Vetë miset shqiptare kanë qenë kamarieret e tyre të cilat kishin ardhur enkas për këtë festë. /tvklan.al