Çaji ka fuqinë për të qetësuar mendjen dhe për të gjallëruar shpirtin. Nuk është rastësi që për shekuj me radhë, çajrat bimorë kanë qenë pjesë e kulturave në mbarë botën duke ofruar jo vetëm relaks, por një mori përfitimesh për organizmin që shkojnë përtej shijes.
Ne kemi përmbledhur për ju mënyrat e shumta në të cilat akti i thjeshtë i pirjes së një filxhani çaji mund të sjellë ndryshime pozitive në shëndetin tuaj:
Çaji ka veti antioksidante
Çaji është i pasur me antioksidantë, të cilat janë thelbësore për të mbajtur lëkurën tonë me shkëlqim dhe rinore. Po ashtu mbrojnë qelizat nga dëmtimi i shkaktuar prej stresit oksidativ. Një studim i publikuar në “Journal of the American College of Nutrition” tregoi se çaji jeshil në veçanti është i pasur me polifenole, një lloj antioksiduesi që mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve kronike.
Ndihmon në shëndetin e zemrës
Studime të shumta kanë treguar se konsumimi i rregullt i çajit lidhet me një rrezik të reduktuar të sëmundjeve kardiovaskulare. Hulumtimi i kryer në Universitetin e Harvardit theksoi se pirja e të paktën tre filxhanëve në ditë mund të zvogëlojë rrezikun e sulmit në zemër me 20%. Përveç kësaj, falë përbërjeve të tij të dobishme, si katekinat dhe flavonoidet, çaji mund të ndihmojë në uljen e kolesterolit dhe të mbajë arteriet të shëndetshme.
Përmirëson shëndetin e zorrëve
Zorrët luajnë një rol themelor në mirëqenien tonë të përgjithshme dhe çaji mund të jetë një aleat i shkëlqyeshëm në ruajtjen e shëndetit të tyre. Katekinat e pranishme në këtë pije mund të ndihmojnë në nxitjen e rritjes së baktereve të dobishme në zorrë. Një studim i botuar në revistën “Nutrients” theksoi se pirja e çajit bimor mund të zvogëlojë inflamacionin e zorrëve.
Ul nivelin e sheqerit në gjak
Studimet tregojnë se pirja e çajit jeshil mund të ndihmojë në uljen e niveleve të sheqerit në gjak dhe në përmirësimin e ndjeshmërisë ndaj insulinës. Kjo sidomos për njerëzit me diabet. Studimi i kryer në Universitetin e Tsukuba, Japoni, ka treguar se polifenolet e çajit jeshil mund të ndihmojnë në përmirësimin e metabolizmit të glukozës dhe zvogëlojnë rrezikun e zhvillimit të rezistencës ndaj insulinës.
Pirja e çajit ju ndihmon të përqendroheni
Kafeina që gjendet në çaj mund të përmirësojë vëmendjen, përqendrimin dhe madje edhe kujtesën afatshkurtër. Një studim i kryer në Universitetin e Utrecht-it në Holandë tregoi se kombinimi i kafeinës dhe L-theaninës, një aminoacid që gjendet në çaj, mund të përmirësojë funksionet njohëse. Përveç kësaj, katekinat që përmendëm më sipër mund të mbrojnë trurin nga mosha dhe dëmtimet e shkaktuara nga stresi.
Mund të përmirësojë gjumin
Edhe pse shpesh e mendojmë çajin si një pije tonike, ai gjithashtu mund të jetë një aleat për një gjumë të mirë. Disa lloje çaji, si çaji i kamomilit dhe livandës, njihen për vetitë e tyre relaksuese dhe qetësuese.
Një studim i publikuar në Phytomedicine tregoi se konsumimi i rregullt i kamomilit mund të përmirësojë cilësinë e gjumit dhe të zvogëlojë simptomat e pagjumësisë.
Promovon mirëqenien mendore
Mirëqenia mendore është po aq e rëndësishme sa mirëqenia fizike dhe çaji mund të luajë një rol në ruajtjen e ekuilibrit të tij. Një filxhan çaj ndikon në uljen e stresit dhe ankthit. Përveç kësaj, polifenolet që gjenden në çaj mund të kenë efekte pozitive në humor dhe shëndetin mendor.
Sa filxhanë çaj mund të pini në ditë?
Sasia optimale e çajit për të pirë në ditë ndryshon në varësi të llojit të çajit dhe nevojave individuale. Sidoqoftë, ekspertët rekomandojnë të pini të paktën 3 deri në 4 filxhanë çaj në ditë për të maksimizuar efektet e tij të dobishme. Kjo sasi siguron një furnizim të konsiderueshëm të antioksidantëve dhe komponimeve të tjera të shëndetshme, pa tejkaluar sasinë e kafeinës. Për ata që preferojnë çajin jeshil, 3 ose 4 filxhanë në ditë mund të jenë të mjaftueshme. Ata që zgjedhin çajin e zi, i cili përmban më shumë kafeinë, duhet të kufizojnë konsumin në 3 filxhanë në ditë. Kjo për të shmangur efektet anësore të lidhura me kafeinën, si ankthi ose pagjumësia./tvklan.al