Truri i njeriut është “aseti kryesor” i vazhdimësisë dhe zgjidhjes së shumë problemeve, aq sa ka arritur të krijojë Inteligjencën Artificiale dhe patjetër ka disa “përparësi” mbi këtë të fundit. Mendimet kreative, gjykimet, intuita e shumë elementë të tjerë…
Por kur vjen puna tek shpejtësia e përpunimit të informacionit, njeriu mbetet pak mbrapa pajisjeve teknologjike. Në një studim të ri të publikuar në gazetën “Neuron”, thuhet se është kalkuluar shpejtësia e mendimit tek njeriu. Po e lexove saktë, po sa shpejt e lexove ama?! Sa informacion përpunon truri juaj në sekondë? Duke marrë parasysh sa i sofistikuar është truri, ky numër shpejtësie është çuditërisht i ulët, vetëm 10 bits në sekondë (bit është njësia më e vogël e të dhënave që një kompjuter mund të procesojë ose ruajë). Për krahasim, një lidhje e thjeshtë Wifi mund të përpunojë 50 milion të tilla (bits).
Pra, çdo moment ne përdorim këto 10 bits, për të perceptuar botën përreth dhe për të marrë vendime. Nëse marrim për bazë këtë kufi të shpejtësisë mendore, atëherë shpjegimi është i tillë:
Truri ynë zgjedh të përqendrohet vetëm tek një mendim, më shpesh se sa të përpunojë shumë ide njëkohësisht, diçka që në fakt është terësisht e mundur me pajisjet teknologjike.
Ndërsa AI vijon të zhvillohet me ritëm të paparë, truri organik duket se po kthehet në varësi të saj dhe makinerive të tjera. Ndoshta kjo ka lidhje dhe me evolucionin…Mijëra vite më parë, paraardhësit tanë jetonin në një botë më të “ngadaltë”, pasi ata mendonin vetëm për të siguruar mbijetesën.
Por pse ne kemi biliona neurone, për të procesuar vetëm 10 bits në sekondë?! Edhe kjo është një pyetje që po ‘mundon’ studiuesit./tvklan.al