Asambleja Parlamentare e OSBE-ODIHR e mbledhur në Vjenë të Austrisë për të diskutuar mbi zgjedhjet në vendet ku misioni vëzhgues i kësaj organizate ka marrë pjesë, i ka kërkuar opozitës shqiptare të zërë vendin e saj në parlament.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Joao Soares deklaroi në komitetin drejtues të kësaj asambleje se në rast se deputetët e Partisë Socialiste nuk hyjnë në kuvend brenda 6 marsit rrezikojnë të djegin mandatet e fituara.

Pas këtij mesazhi mjaft të qartë, presidenti i kësaj asambleje duke ju referuar raportit për Shqipërinë theksoi si të rëndësishme katër pika mbi të cilën bazohet qëndrimi aktual i misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-t.

Pika e parë ka të bëjë me vlerësimin e raportit të hartuar për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri, raport të cilit OSBE/ODIHR-i i qëndron në të gjithë përmbajtjen e tij.

Ne i qëndrojmë fort këtij raporti ka deklaruar Soares, duke shtuar se të gjithë të zgjedhurit duhet të ulen ne parlament.

Asambleja Parlamentare e OSBE/ODIHR-it ka shprehur po ashtu qëndrimin pro ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar, duke e bërë të qartë se ky komision do të respektojë ligjin dhe vendimet e gjykatave.

Ky është një tjetër mesazh që opozita shqiptare merr nga faktori ndërkombëtar, i cili i ka kërkuar asaj në mënyrë të përsëritu të futet në Kuvend.

6 Marsi shihet edhe nga ky organizëm i lartë  që ka monitoruar zgjedhjet në Shqipëri, si shansi i fundit për deputetët socialistë të zgjedhur më 28 Qershor, për të mos humbur mandatin e tyre, ndërsa qëndrimi për objektin e hetimit të Komisionit Parlamentar për zgjedhjet është deri më tani më i qarti i shqyrtuar nga organizmat ndërkombëtarë, krahas pikës 7 të Rezolutës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës./tvklan.al