Asambleja parlamentare e OSBE-së e konsideroi të rëndësishëm diskutimin mbi situatën politike në Shqipëri.

Vetë ky institucion angazhoi për procesin zgjedhor te 28 Qershorit 2009 numrin më të madh të vëzhguesve që kanë monitoruar procese të ngjashme në Shqipëri.

Parlamentari zviceran, Kristian Mish (Christian Misch), ishte një nga vëzhguesit afatgjatë në vendin tonë. Mish thotë se opozita duhet të kthehet në kuvend nisur nga logjika e standardeve që ofruan zgjedhjet e përgjithshme.

Christian Misch: “Unë isha si vëzhgues për zgjedhjet në Shqipëri dhe mund të them se zgjedhjet ishin shumë të mira, përmbushën standardet e OSBE-ODHIR-it. Sigurisht në çdo proces zgjedhor ka humus dhe fitues, por kjo është demokracia, ndaj edhe socialistët duhet të kthehen në kuvend. Rezultati është i qartë, gjë që ne e kemi theksuar dhe në raportin final.”

Në cilësinë e kryetarit të grupit të deputetëve italianë pranë asamblesë parlamentaret OSBE-së, Rikardo Miljori, thotë se bojkoti i opozitës është bojkot kundër vendit dhe proceseve për integrim.

Si pjesë e grupit që hartoi raportin final mbi zgjedhjet Miljori i bën thirrje Partisë Socialiste të hyjë në kuvend duke lënë mënjanë, siç shprehet ai, interesat personalë.

Ricardo Migliori: “Procesi elektoral në Shqipëri u konsiderua nga OSBE si mjaft pozitiv. Vumë re përmirësime krahasuar me proceset e mëparshme. Unë shpresoj që dhe për të ardhmen e Shqipërisë të mund të gjendet një zgjidhje për problemin. Ka një tentativë në këtë drejtim të presidentit të republikës dhe komunitetit ndërkombëtar. Unë shpresoj që opozita ka si sens përgjegjësie që të kuptojë që për të ardhmen e Shqipërisë në Evropë është e rëndësishme stabiliteti i vendit. Pastaj në demokraci nuk humbet përgjithnjë. Do të ketë zgjedhje të reja dhe mund të ketë edhe ndërrim mazhorancash. Apeli im për miqtë e Partisë Socialiste është që të vënë në krye interesin kombëtar në vend të atij personal. Nuk e kam kuptuar se cilat janë arsyet e vërteta të kësaj protestë të fortë. Mund të ketë patur edhe gabime, por që sipas nesh, OSBE-së, kanë qenë të papërfillshme për të ndikuar rezultatin. Unë shpresoj që të prevalojë sensi i përgjegjësisë dhe që Shqipëria të ketë një parlament që të funksionojë në mënyrë perfekte që të shfaqet sikundër është një vend i madh në proces për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian. Shpresoj që ky të jetë fundi i bojkotit pasi nuk është më një bojkot kundër kuvendit, por kundër Partisë Demokratike, kundër Shqipërisë dhe të ardhmes së saj.”

Kanadezi, Konsilio di Nino (Consiglio Di Nino), i shumëpërfolur si kandidaturë e fortë për presidentin e ardhshëm të asamblesë parlamentare të OSBE-së i referohet pikërisht raportit të vëzhguesve ndërkombëtarë për të dalë në konkluzionin se opozita duhet të kthehet në kuvend.

Consiglio Di Nino: “Kjo është e lidhur me zgjedhjet. Unë isha një prej vëzhguesve të zgjedhjeve. Së bashku me zotin Grossruck krijonim një lloj grupi koordinativ vëzhguesish afatgjatë. Ne identifikuam disa çështje, të cilat kanë nevojë të merren parasysh. Ne i mbahemi plotësisht raportit tonë. Mendojmë se gjithçka është thënë. Është korrekte dhe besojmë që populli shqiptar përgjithësisht foli në mënyrë të ndershme në kontekstin e shprehjes demokratike të votës. Tashmë qeveria duhet të vazhdojë përpara sikundër opozita duhet të hyjë në kuvend”.

Debati politik në Shqipëri u shndërrua në një nga temat kryesore të diskutimeve në këtë sesion dimëror të asamblesë parlamentare të OSBE-së.

Në emër të përfaqësuesve amerikanë në këtë organizëm kongresmeni Robert Aderholt, thotë se opozita duhet të kthehet në kuvend e të ngrejë shqetësime që nuk cenojnë ligjin.

Robert Aderholt: “Një nga çështjet që u ngrit në asamble lidhet me ndershmërinë e zgjedhjeve që u zhvilluan Qershorin e shkuar në Shqipëri. OSBE dërgoi monitorues. Ata raportuan dhe mbërritën në vendimin se ato ishin të drejta dhe të ndershme dhe nuk kishte probleme të mëdha, të cilat mund të ndikonin rezultatin. Bazuar në këtë delegacioni amerikan dhe OSBE në përgjithësi mendon se duhet ecur përpara. Bojkoti i kuvendit vijon, por ne mendojmë se ata që janë zgjedhur duhet të zënë vendet e tyre. Çdo çështje duhet të trajtohet në kuvend. Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie shumë të mira me Shqipërinë, me kryeministrin dhe ne duam të shohim funksionimin e demokracisë atje. Ne duam të shohim ngritjen e problemeve, por gjithnjë sipas ligjit, kështu që opozita duhet të zërë vendet dhe të ngrejë shqetësimet e saj në kuvend.”

Mbi situatën politike në Shqipëri u deklarua dhe kryetarja e kuvendit austriak, Barbara Prammer, e cila priti në një takim kryetaren e kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.

Prammer tha se tashmë që zgjedhjet përfunduan politika në Shqipëri duhet të fokusohet në zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it.

Kryeparlamentarja austriake tha se baza e funksionimit të demokracisë është respektimi i shtetit ligjor./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi