Kryeministri i vendit Sali Berisha priti në një takim presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Joao Soares. Takimi u fokusua në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, ku kryeministri Berisha garantoi presidentin, se qeveria shqiptare po bën çdo përpjekje për të realizuar zgjidhjet më të mira dhe më transparente të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri.

Kreu i qeverisë kërkoi nga presidenti Soares që në Shqipëri të vijnë sa më shumë vëzhgues ndërkombëtar dhe anëtar të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Presidenti Soares nga ana e tij u shpreh se është njohur me dokumentat e reja të identifikimit të shqiptarëve, të cilat janë vërtetë të shkëlqyera si përsa i takon shkallës së sigurisë, ashtu edhe nivelit bashkëkohor të tyre dhe se sinqerisht uronte që edhe qytetarët e vendi të tij të pajisen me dokumenta të tillë identifikimi.

Presidenti Soares e theksoi se është Asambleja Parlamentare e OSBE-së organi kompetent i cili do të bëjë një vlerësim përfundimtar të zgjedhjeve. Në këtë kontekst presidenti Soares shprehu sigurinë e tij se me këtë infrastrukturë dhe kuadrin e ri ligjor e institucional Shqipëria pritet të realizojë zgjedhje të lira e transparente, të cilat më mirë se kushdo tjetër do t’i vlerësonin përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së të cilët vetë janë të zgjedhur dhe kanë përvojën më të drejtpërdrejtë  në proceset zgjedhore./tvklan.al