Asambleja parlamentare e OSBE, i ka dhënë një mesazh të qartë klasës politike në Shqipëri pas një skaneri të detajuar të zgjedhjeve të 28 Qershorit.
Në vija të trasha mbledhja e komitetit drejtues që u mbajt në Athinë, argumentoi se zgjedhjet në Shqipëri ishin të ndershme, e për këtë arsye iu kërkua opozitës shqiptare të pranojë rezultatin dhe të futet sa më shpejt në Kuvend.
Ja si i vlerëson zgjedhjet zëvendës presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, Wolfgang Grosruk.
Wolfgang Grosruk: “Konkluzioni ynë është se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme dhe në rrugën e drejtë të një demokracie të plotë. Është për të ardhur keq që opozita nuk po merr pjesë në parlament, pjesa e pjekurisë demokratike është edhe të pranosh rezultatin e zgjedhjeve dhe shpresoj që partia e opozitës të marrë pjesë sa më shpejt në parlament. Kjo është e vetmja rrugëdalje për të zhvilluar më tej demokracinë.”
Kryetari i delegacionit Italian në Asamblenë Parlamentare të OSBE, Rikardo Miliori, thotë se zgjedhjet rritën besueshmërinë e Shqipërisë në raport me proceset integruese ku është përfshirë vendi.
Rikardo Miliori: “Zgjedhjet në Shqipëri sipas mendimit të OSBE-së ishin më të mirat nga pikëpamja organizative që janë zhvilluar në vendin tuaj. Do të thoja pra një hap domethënës nga pikëpamja politike, pasi kredibiliteti i Shqipërisë u rrit, çka është shumë e rëndësishme. Veçanërisht në këto momente të integrimit të Shqipërisë në Evropë.”
Për sa i takon qëndrimit të opozitës Migliori duket i prerë kur thotë se zgjedhësit votuan qeverinë e kryeministrit Berisha. Opozitës sipas tij i mbetet detyrim thelbësor të përfaqësojë në Kuvend zgjedhësit e saj.
Rikardo Miliori: “Shpresoj që drejtuesit e opozitës shqiptare të verifikojnë rezultatet e vëzhgimit tonë, të KE-së, të Parlamentit Evropian pasi sipas mendimit tonë zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira e të drejta. Unë shpresoj që më në fund gjithçka të hyjë sërish në dialektikën demokratike pasi është e drejtë e detyrueshme për opozitën të përfaqësojë qytetarët shqiptar që e kanë votuar. Është një gabim, një deformim i demokracisë fakti që këta parlamentar të mos ulen në parlament. Ne dëshirojmë që në të mirë të demokracisë evropiane, të demokracisë shqiptare kjo të mund të ndodhë sa më shpejt.”
Një tjetër anëtar i Asamblesë Parlamentare të OSBE, përfaqësues i Zvicrës Christian Miesch nënvizon faktin se pavarësisht përpalljes për herë të parë me një sistem të ri zgjedhor Shqipëria e kaloi testin për zgjedhje demokratike.
Christian Miesch: “Nuk ka asnjë vend në botë ku zgjedhjet të mos kalojnë pa gabime të vogla, por unë kam mbetur i habitur që zgjedhjet në Shqipëri me sistemin e ri u zhvilluan në rregull. Për mua pjesa teknike e zgjedhjeve ishte krejt në rregull.”
Anëtari i kongresit amerikan Alcee Hastings bashkëkryetar i komitetit amerikan të Helsinkit thotë se Shqipëria po dëshmon gjithnjë e më shumë maturë politike, duke nënkuptuar funksionimin në një koalicion të PD me LSI.
Alcee Hastings: “Opinioni im është se Shqipëria po maturohet shpejt dhe duke qenë një vëzhgues i zgjedhjeve vura re të gjitha palët, PD-ja dhe LSI-ja po bashkohen e po bëhen më pragmatistë në qëndrimin e tyre politik dhe besoj që ky është një tregues i shëndetshëm për demokracinë në Shqipëri. Shqipëria ka një ndikim substancial në rajon dhe pikërisht këtu qëndron dhe ajo që unë besoj se është xhevahir i fshehur i asaj që sjell pjekuria e procesit elektoral. Në këtë kontekst jamë shumë i kënaqur për hapat pozitiv që u kryen.”…/tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi