Përgjatë javëve të “Këngës  Magjike” kemi  parë veshjet e këngëtarëve dhe performancat e tyre skenike që i paraprijnë atyre që do të shohim sonte në Pallatin e Koncerteve. Veç këngëve, artistët kanë sjellë krijime të veçanta vizuale për t’iu përshtatur materialit muzikor duke tërhequr jo pak vëmendjen.

Një ndër më të komentuarat ka qenë Jonida Maliqi e cila shfaqej në skenë me vetullat e zbardhura dhe grimin që theksonte fort tiparet. Ndonëse komentet në drejtim të saj s’kanë qenë fort pozitive, duket se Jonida ashtu siç karakterizohet për nuhatjen në modë e  trende, ka guxuar dhe ia ka dalë sërish. Gazetarja Dasara Karaiskaj shprehet në programin “Rudina” në Tv Klan se Rita Ora ka bërë të njëjtën gjë, por Jonida tashmë e realizoi më parë se artistja me famë ndërkombëtare.

Dasara Karaiskaj: Kemi rastin e Jonida Maliqit që mediat kanë shkruar gjithë ditën sot që e superoi atë që do të jetë moda që do të vijë, me vetullat…

Rudina Magjistari: Komentet kanë qenë pak… jo shumë dashamirëse sepse ‘look’-u i saj nuk ishte i zakonshëm.

Dasara Karaiskaj: Ja të ta shpjegoj. Sepse kjo ishte një tendencë e re, moda avangardë që do të sjellin tani të gjithë, e tentoi Rita Ora dhe duhet thënë që Jonida e superoi Rita Orën dhe për këtë po flasin të gjitha mediat dhe pse mos ta themi edhe ne?

Edhe Elda Laze shton se duhet vlerësuar rikthimi në skenë i Jonidës pas 5 vitesh, i një artisteje me një karrierë të gjatë dhe komentet të mos jenë kaq të rënda.

Elda Laze: Edhe unë kam bërë diçka, një status për Jonidën. Mesazhet janë realisht shumë të rënda, kritikat hajde t’i pranojmë…

Rudina Magjistari: Ajo është një histori tjetër që mos t’i hyjmë asaj historie, le të mos e hapim atë se nuk dalim dot nga llumi i komenteve që janë të padiskutueshme.

Elda Laze: Që mos të rrimë sikur s’ka ndodhur asgjë.

Rudina Magjistari: Por të mos e hapim sepse s’kemi njeri përballë këtu që ta vëmë përpara dhe të flasim.

Elda Laze: Jo, nuk ke por një mesazh duhet ta japësh sepse ai është një person, është një personazh publik që ka kaq shumë vite karrierë dhe duhet duartrokitur rikthimi i saj ose edhe mënyra e komenteve duhet të jetë pak më… s’më pëlqen./tvklan.al