Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Pas liderit të opozitës Sali Berisha është nënkryetarja demokrate e Parlamentit Jozefina Topalli, që ka ngarkuar me përgjegjësi maksimale kryeministrin Fatos Nano, për dështimin sipas saj të reformave në vend. Duke marrë shkasë nga analizat që po kryen në disa ministri, zonja Topalli e ka quajtur këtë proces, një show politik, për shkarkimin e përgjegjësive të kryeministrit Nano.
Jozefina Topalli:- “Reforma e ofruar nga kryeministri ka vetëm një garanci, performancën e monopoleve që ai ka në dorë, apo klanet afër tij. I kujtojmë zotit Nano, që së shpejti do të jetë ai që do të përgjigjet për prishjen e kontratës më të madhe mes qeverisjes socialiste dhe shqiptarët. Siç shihet nocioni për reforma i Nanos është shumë i çuditshëm, në fakt ai përkon vetëm anti-reformën për standarde ndërkombëtare, opozitën dhe gjithë shqiptarët”.
Sipas demokratëve është e papranueshme që kryeministri flet për reforma në drejtësi, kur është vetë bllokuesi i tyre, por jo vetëm kaq, për forcën më të madhe të opozitës, Nano mban përgjegjësi edhe për dështimin e plotë të financave, ku sipas zonjës Topalli, janë grabitur nga qeveria dhe klanet e saj, me qindra milion dollarë./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço