Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, takoi sot banorët e komunës së Bushatit, një komunë model për investimet në infrastrukturë.
Gjatë këtyre viteve afro 8 milionë euro janë investuar në Bushat për ndërtimin e një ujësjellësi, akse rrugore që lidhin fshatrat me komunat, rikonstruksion shkollash dhe qendrash shëndetësore.
Kryetarja e Kuvendit falënderoi banorët e Bushatit për mbështetjen dhe besimin që ata po i japin qeverisë në reformat për ndryshim.
Jozefina Topalli: “Ne kemi rritur rrogat dhe kemi rritur pensionet në nëntë vjet kur kryetari i bashkisë së Tiranës ka rritur vetëm taksat. Në katër vjet ne Partia Demokratike kemi ndërtuar dhe po vazhdojmë të ndërtojmë në çdo cep të Shqipërisë në nëntë vjet. Edi Rama në fakt u mor vetëm me fasada dhe nuk arriti që të ndërtonte as edhe qendrën e kryeqytetit tonë të Tiranës. Në katër vite ne ndërtuam 1600 shkolla të reja apo të rikonstruktuara, një shifër rekord në shërbim të fëmijëve dhe të arsimit të tyre. Në nëntë vite kryetari i bashkisë së Tiranës ka thyer vetëm rekordin e lejeve të ndërtimit, ka thyer vetëm rekordin e dhënies së këtyre lejeve për miqtë dhe dashamirësit e tyre”.
Në komunën e Bushatit kryetarja e kuvendit, Topalli, mori pjesë në inaugurimin e rrugës së Ashtës, pjesë e investimeve prej 700 milion lekësh nga buxheti i shtetit për këtë zonë, dhe premtoi se projektet më të mëdha në infrastrukturë, arsim e shëndetësi do të realizohen në mandatin e ardhshëm./tvklan.al