Kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli, në vijim të takimeve, “NATO, ne mbajtëm premtimin”, është ndalur në komunat Kallmet, Dajç dhe Fushë Kuqe të Lezhës.
Topalli tha se kjo mazhorancë në një kohë rekord e shndërroi Shqipërinë nga një vend me histori të dhimbshme, në një vend me histori integrimi, suksesi dhe transformimesh të paimagjinueshme.
Nga ana tjetër ajo akuzoi kryesocialistin Edi Rama për korrupsion.
Jozefina Topalli: “Shtylla e parë është një karrierë e ndërtuar mbi korrupsionin politik, korrupsioni mediatik. Nuk ka gazetarë që të guxojnë t’i bëjnë pyetje Edi Ramës. Edi Rama shkruan mesazhe dhe gazetarët janë të detyruar që të lexojnë vetëm ai që zotëria shkruan për veten e tij. Shtylla e tretë mbi të cilën është ngrit karriera e tij, shtylla e tretë e korrupsionit është ajo e lejeve të ndërtimit.”
Akuzat e Topallit për Ramën vijuan me përbaltjen që sipas saj ky i fundit kërkoi t’i bënte vizitës së presidentit Bush në Shqipëri.
Jozefina Topalli: “Pak muaj përpara se Shqipëria të nënshkruante marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ai futi bilbilat në parlament. S’kishte ndodh kurrë në historinë tonë. Në emër të politikës së re ai kërkoi që të bënte pis vizitën historike të presidentit Bush në Shqipëri duke i thënë shqiptarëve se ju jeni hajdutë dhe keni vjedh orën e presidentit të madh të Amerikës.”
Gjate takimit me banorët e Kallmetit kryetarja Topalli tha se reformat ekonomike që e kanë transformuar Shqipërinë, janë realitet dhe jo fjalë./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro