Me moton “Ne ia dolëm” kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli zhvilloi një takim me gra dhe vajza në qytetin e Durrësit. Gjatë fjalës së saj kryeparlamentarja u ndal fillimisht në reformat e ndërmarra nga qeveria, që sipas saj bënë të mundur rritjen e rrogave për arsimtaret, infermieret dhe të tjerë sektorë ku femrat kanë një angazhim të konsiderueshëm. Prioritet në mandatin tonë të dytë qeverisës tha Topalli do të jetë shëndetësia dhe kujdesi për të gjitha nënat në nevojë.
Jozefina Topalli: “Si politikane, si grua unë kam qenë e lumtur të votoj në parlament për dyfishimin e pagave të mësuesve, ku mbi 60% të tyre janë gra, janë vajza, janë nëna. Jemi të vetëdijshëm se nuk kemi arritur ende të bëjmë çdo gjë, jemi të vetëdijshëm që kemi ende shumë punë për të bërë në këtë sektor. Prandaj kemi nisur fillimin e reformës së vështirë në shëndetësi. ”
Duke mos lënë jashtë vëmendjes anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, kryetarja e Kuvendit e cilësoi atë si një arritje që nuk do të ishte e tillë pa mbështetjen e grave në politikë, në administratë dhe shumë sektorë të jetës publike.
Jozefina Topalli: “Ne gratë me hyrjen e Shqipërisë në NATO, në këtë aleancë të madhe të lirisë ndihemi më të forta. Ndihemi më të forta jo thjesht për ne se sa për fëmijët tanë, ndihemi më të sigurta dhe më dinjitoze jo thjesht për ne sesa për fëmijët tanë dhe për fëmijët e fëmijëve tanë.”
Kryeparlamentarja ndoqi më pas një koncert festiv duke biseduar nga afër me gra dhe vajza të qytetit bregdetar./tvklan.al