Juventus është finalisti i parë i Kupës së Italisë dhe kërkon një tjetër sukses në këtë aktivitet ku deri më tani ka triumfuar 14 herë, më shumë se çdo ekip tjetër.
Skuadra torineze kaloi më tej edhe pse u mund 2 – 1 nga Lazio të martën në stadiumin “Olimpico”, pasi sfidën e parë e kishte fituar 2 – 0.
Takimi i kthimit nisi mirë për vendasit që kaluan në avantazh që në minutën e 12’ me Castellanos. Sulmuesi argjentinas i Lazio realizoi edhe në fillimin e pjesë së dytë, por vendosmëria e lojtarëve të Juventus solli golin tepër të vlefshëm në të 82’ me autor Milik.
Juve kështu siguroi edhe pjesëmarrjen në Superkupën e Italisë që zhvillohet në format Final Four, ku deri më tani pjesë e saj është edhe Inter si kampion i Italisë.
Sot në mbrëmje do të luhet gjymëfinalja tjetër e kupës mes Atalanta dhe Fiorentina. Takimi i parë u mbyll me fitoren 1 – 0 të ekipit nga Firence. Finalja e Kupës së Italisë është programuar të luhet më 15 maj në stadiumin “Olimpico”.
Tv Klan