Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Kalaja e Ali Pashës në Tepelenë po shkon drejt rrënimit. Alarmi SOS për shkatërrimin e kësaj pasurie të rralë kombëtare ka kohë që është lëshuar nga muzeu i Tepelenës dhe qytetarët e thjeshtë. Edhe këto pamje tregojnë tjetërsimin e kalasë së Ali Pashës. Brenda mureve të saj janë ndërtuar shtëpi, lokale, stalla kafshësh dhe varreza makinash. Vendin e restaurimit të detyrueshëm të kalasë prej shumë vjetësh e kanë zvendësuar barbarizmat e disa njerëzve të papërgjegjshëm me ndërtimet e tyre.

Muret e vjetra dhe bedenat e kalasë po shërbejnë për themele apo mure lokalesh. Asnjë inspektor i drejtorisë së monumenteve nuk ka vajtur në Tepelenë të raportojë shkatërrimin e ngadaltë të kalasë së Ali Pashës. Indiferentizëm po tregon edhe pushteti lokal. Nëse do të vazhdohet kështu, një nga dëshmitë e të kaluarës dhe historisë sonë, kalaja e Ali Pashë Tepelenës do të rrënohet tërësisht duke humbur dhe një pjesë të krenarisë sonë kombëtare./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj