Agjencia e Legalizimit të Zonave Informale po vazhdon me intensitet shpërndarjen e lejeve te pronësisë në të gjitha qarqet e vendit. Pas Tiranës, Shkodrës dhe Elbasanit, procesi i pajisjes se qytetareve me lejet e legalizimit po konkretizohet edhe në pjesën tjetër të vendit. Ky është kalendari me qytetet dhe datat në të cilat ALUIZNI do t’iu shpërndajë certifikatën e pronësisë aplikuesve.  

Siç shihet, brenda këtij muaji ALUIZNI do të ndalet në 13 qytete kryesore nga Saranda në Lezhë. Drejtues të agjencisë thonë se kanë përfunduar procedurat për një numër shumë të madh dosjesh, dhe se tashmë janë qytetarët ata që duhet të shkojnë të shlyejnë detyrimet monetare për tu pajisur me “Lejen e Legalizimit”.

Vetëm në kryeqytet gjate javës se kaluar u shpërndanë lejet e legalizimit për afro 6200 pasuri, për një sipërfaqe që në total arrin ne 662 mijë metra katrore, çka do të thotë se në tregun e pasurive të paluajtshme janë futur mëse 2 miliardë euro.

 Në qarkun e Shkodrës janë deklaruar 18 mije objekte informale, 8600 nga te cilat janë të digjitalizuara dhe të gatshme për qytetarët, të cilët mund të pajisen me “Lejen e Legalizimit”. Ndërsa në qarkun e Elbasanit janë deklaruar 18.700 objekte informale dhe gati për legalizim janë mëse 6300 prej tyre./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro