Sali Berisha: “Ju garantoj se parlamenti 2-3 javët e para të punës së tij do të miratoj ligjin për përdorimin e letrave me vlerë që ju të paguani sipas vendimeve banesat tuaja në përqindje të përcaktuar dhe të premtuar nga qeveria”.
Kjo deklaratë e kryeministrit që përforcoi akoma më shumë idenë e futjes në lojë të bonove të privatizimit për pagesën e legalizimit, është reflektuar menjëherë në tregun informal të të ashtuquajturave letra me vlerë.
Sot në Tiranë bonot e privatizimit janë blerë nga kampistët për 19% të vlerës së tyre nga 15-16% të fillim-javës.
Rritja me disa pike përqindje e vlerës së bonove të privatizimit, sipas kampistëve është rezultati i rritjes së kërkesës nga ana e qytetarëve që janë duke legalizuar banesat.
Prej fillimit të verës vlera e bonove është gati katërfishuar, ndërkohë që ekspertet parashikojnë rritje të mëtejshme gjatë muajit Shtator kohë kur mendohet që parlamenti të ktheje në ligj vendimin e qeverisë për aktivizimin e bonove të privatizimit në procesin e legalizimit.
Sipas projektligjit të kaluar nga këshilli i ministrave një muaj më parë, letrat me vlerë do të përdoren për pagesën në masën 80% të detyrimit për sipërfaqet deri në 300 metra katrore, dhe 50% të vlerës për çdo metër të ndërtesës në legalizim mbi këtë sipërfaqe.
Përfitues nga kjo skemë do të jenë dhe ata që kanë paguar tashmë detyrimet ndaj agjencisë së legalizimit./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro