Hajdutët në autobusët urbanë nuk janë një fenomen i pazakontë. Të shumta janë rastet kur ata vjedhin sende të udhëtarëve, duke shfrytëzuar shpesh autobusët e tejmbushur, por edhe “aftësitë” e tyre për të mos u kuptuar nga të tjerët.
I tillë mund të konsiderohet edhe rasti i një zonje nga Tirana, e cila ka rënë pre e xhepistëve, të cilët kanë arritur t’i marrin asaj portofolin, teksa udhëtonte me autobuzin e Unazës.
Në denoncimin e saj në rubrikën “Kallëzo”, zonja tregon se hajdutët i kanë prerë çantën nëpërmjet një brisku, e më pas i kanë marrë portofolin.
Për fat të mirë, gruaja nuk ka patur para në portofol, pasi siç rrëfen ajo vetë, nuk e kishte marrë ende rrogën.
E shqetësuar pasi hajdutët bashkë me portofolin i kanë marrë asaj kartën e identitetit, kartën e shëndetit, të sajën dhe të djalit, si dhe kartën e bankës, ajo i lutet kujdo që mund t’i gjejë, që ta kontaktojë.
Të gjitha dokumentet janë në emrin e zonjës Elzoina Milo.
Në fund, zonja në fjalë ka edhe një mesazh për të gjitha femrat, që të bëjnë kujdes, pasi sipas saj, kohët e fundit hajdutët janë shtuar./tvklan.al