Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Makbule Çeço zëvendës kryeministrja aktuale e kabinetit Meta është propozuar si kandidate për kryetare e Bashkisë së Tiranës, në disa këshilla zonal socialistë të kryeqytetit. Burime të selisë rozë e radhisin tashmë ish-prefekten e Tiranës Çeço, si një nga kandidaturat kryesore përkrah Ministrit të Kulturës Edi Rama dhe prefektit të kryeqytetit Taulant Dedja.
Zëvendës kryeministrja Çeço nuk është shprehur nëse preferon të lërë postin të kandidojë për Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që ish-kryeministri Majko dhe Ministri i Rendit Poçi, nuk kanë pranuar kandidimin. Në rrethet kryesore komitetet drejtuese socialiste, po përcaktojnë nga tre kandidatë, ndërsa për zgjedhjen e kandidatit për kryetar komune apo bashkie do ta përcaktojë bashkia në Tiranë.
Në Vlorë konkurrojnë Neki Dredha, Anastas Gjipali, Marika Çakërri, Theodhori Shiaj e Mezan Malaj. Të mërkurën socialistët vlonjatë, do të përzgjedhin tre kandidatët mes të cilëve Neki Dredha është më i votuari, nga këshillat zonal.
Në Korçë do përzgjidhen tre kandidatë mes këtyre emrave, Gjergji Duro, Nuri Dança, Ermir Skënderi e Roland Raço. Nga Gjirokastra në selinë rozë, vijnë emrat e Murat Kaçit, Spartak Pumos e Resul Llogos.
Socialistët lushnjarë pretendojnë të konkurrojnë në bashkinë e qytetit me njërin prej këtyre kandidatëve, Fatbardh Rustemi, Leonard Bogu, Ylli Myftiu, Qemalina Topi. Në Berat socialistët propozojnë për kryetar bashkie njërin prej këtyre kandidatëve, Kadri Kuka, Niko Matin e Vullnet Zylyftarin.
Në Kavajë nesër Komiteti Drejtues Socialistë, përcakton tre kandidatët për kryetarët e bashkisë. Nëpër rrethe bie në sy mungesa e kandidatëve socialiste gra, për kryetar të bashkive apo komunave. Gjithsesi Tirana, Shkodra, Kavaja, Kurbini, Gjirokastra dhe Tropoja mbeten zonat më të vështira në betejat socialiste për zgjedhjet lokale./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame