Pasditen e 8 Dhjetorit në qytetin e Lezhës në afërsi të shinave të trenit, punonjësit e Policisë kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Golf”.

Gjatë kontrollit të mjetit nuk i është gjetur asnjë send i kundraligjshëm, ndërsa gjatë kontrollit të dokumentacionit të automjetit rezultoi se drejtuesi i automjetit nuk dispononte dokument për xhamat e errësuar të makinës dhe për këtë arsye, punonjësit e Policisë i kanë hequr veshjen që kishte vendosur për të errësuar xhamat e automjetit.

Drejtuesi i automjetit nuk ka kundërshtuar, por 19-vjeçari me iniciale R.Ll., pasagjer në këtë automjet, ka kundërshtuar dhe ofenduar punonjësit e Policisë si dhe njërit prej tyre i ka dërguar menjëherë në celular një mesazh kërcënues për shkak se i hoqi veshjen që kishte errësuar xhamat e automjetit shoku i tij.

Veprimet procedurale janë kryer nga OPGJ i Prokurorisë dhe në përfundim të veprimeve është bërë arrestimi në flagrancë i 19-vjeçarit, shtetasit R. Ll., banues në Lezhë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”./tvklan.al