Anëtarë të dy fiseve u përfshinë në një konflikt mëngjesin e të enjtes në Sarandë. Ngjarja ndodhi rreth orës 1:35 në fshatin Gjashtë. Policia deri më tani ka identifikuar 12 prej personave të përfshirë në sherr.

Ata fillimisht kanë debatuar me njëri-tjetrin ndërsa më pas janë konfliktuar duke përdorur dhe sende të forta. Në sherr u përfshinë edhe katër punonjës policie me mbiemër Sulejmani të cilët ishin jashtë shërbimit. Të lënduar nga sherri mes anëtarëve të dy fiseve mbetën dy vëllezërit Enea dhe Albi Nexhipi, të cilët u dërguan në spital për ndihmë mjekësore. Pas trajtimit mjekësor ata u shoqëruan në komisariatin e policisë së Sarandës.

Shërbimet e policisë gjetën në vendin e ngjarjes edhe gëzhoja plumbash, çka ka ngritur dyshimet se gjatë konfliktit të ketë patur edhe të shtëna me armë zjarri.

Shkak dyshohet se sherri që degradoi deri në përplasje fizike dhe të shtëna me armë zjarri të ketë nisur për një borxh.

Gjatë paradites së të enjtes në policinë e Sarandës janë dorëzuar tre prej të përfshirëve në sherr të cilët janë marrë në pyetje nga oficerët. Për personat e tjerë të implikuar në sherr, policia është duke kryer kontrolle në vende të ndryshme.

Pjesë e hetimit është bërë edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, për të zbardhur përfshirjen e efektivëve në konflikt.

Klan News