Këto janë ditët, ku rrugët dhe trotuaret në tregun e pazarit të ri marrin pamjet nga më kaotiket. Tregtarë që shesin në trotuare ushqime nga më të shumëllojshmet, si dhe blerës që rendin nga të gjitha anët pas mallit më të mirë e më të lirë. Pamjet e marra në orë të ndryshme të ditës tregojnë se fluksi i blerësve dhe i tregtarëve ka pasur vazhdimësi deri në orët e vona dhe natyrisht tregu merr pamjen e një qyteze kaotike.
Për të kaluar në dy krahët e trotuarit, duhet të përshkruash një trajektore shumë të gjatë, për shkak të dendësisë së madhe të kalimtarëve të cilët kalojnë, duke i shtuar kësaj edhe qëndrimin vend e pavend të tregtarëve ambulantë. Në të tilla raste nuk mjafton vetëm trotuari, por pasioni për të shitur dhe për të blerë gjelin më të majmë, kalon edhe në rrugë. Tregtia tani nuk njeh kufi.
Megjthëse ekzistenca e një tregu justifikon deri diku tregetimin aty-këtu të mallrave ushqimorë, nuk mund të pranohet tregtimi i mallit deri në nivele kaq të ulta në trotuare apo rrugë./tvklan.al