Prej ditës së djeshme, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka po qëndron në Gjirokastër ku po ndjek nga afër situatën kaotike të krijuar në doganën e Kakavijës, ku janë krijuar radhë kilometrike.
Në një komunikim të drejtëpërdrejtë për Tv Klan gjatë edicionit informativ nga pika kufitare e Kakavijës, ministrja Xhaçka ka theksuar se e vetmja gjë që mund të bëjnë është të vazhdojnë komunikimet me autoritetet greke për të lehtësuar sa më shumë procedurat për të hyrë në territorin grek.
Por, Xhaçka u shpreh se rregullat e vendosura nga Greqia për shkak të pandemisë së Covid-19 janë të njëjta për të gjithë qytetarët.
“Dua ta theksoj qysh në krye të herës, kjo nuk është një situatë e krijuar nga shteti shqiptar apo nga autoritetet e shtetit shqiptar, kjo është një situatë e diktuar nga situata e pandemisë në të gjithë botën. Nuk është një gjë që e shohim vetëm në Shqipëri, është një problematikë që po e ndeshin edhe vende që janë dhe anëtare të BE. Vetëm dje i patë radhët e gjata në Francë për qytetarët britanikë apo masat e ndërmarra nga Britania e Madhe për qytetarët francezë, për gjoba në rastet e thyerjes së këtyre masave, etj. Këtu bëhet fjalë për një regjim masash të vendosura nga shteti fqinj, i cili është në të drejtën e vetë legjitime për të menaxhuar situatën e pandemisë, ashtu siç bëmë edhe ne ca kohë të shkuara duke mbyllur kufijtë, duke bllokuar lëvizjen e lirë. E vetmja gjë që mundet të bëjmë është ajo që kemi bërë gjatë gjithë këtyre ditëve, të komunikojmë intensivisht me palën greke, me autoritetet greke për të bërë të mundur lehtësimin e procedurave në mënyrë që radha e krijuar të ecë sa më shpejtë. Sërish edhe nëse këto procedura do të lehtësoheshin të cilat janë një rritje e kapaciteteve testuese për marrjen e tamponit në doganën greke, do të ndihmonte në lehtësimin apo kalimin e më shumë qytetarëve. Edhe nëse kjo do të ndodhte, nuk do ta ndihmonte dot këtë radhë kaq të gjatë të krijuar e cila synon të futet në kufirin grek para datës 17 kur hyn në fuqi një regjim tjetër rregullash i cili e kufizon paksa hyrjen në kufirin grek”.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka këshillon emigratët shqiptarë që të kthehen pas dhe të mos presin në radhë në doganën e Kakavijes në temperatura të larta.
“Ne jemi në çdo moment duke i këshilluar qytetarët të kthehen mbrapsht. E kam bërë thirrje dhe vetë personalisht dje, sikundër kemi dhe efektivë të FA që ju bëjnë thirrje gjatë gjithë kohës qytetarëve të kthehen mbrapsht dhe të mos ekspozojnë familjet e tyre në një torturë të tillë të zgjatur me orë në një mot kaq të nxehtë”. /tvklan.al