Për t’u futur në sallën e Kuvendit këtë të enjte, demokratëve nuk iu desh të kalonin përmes gardhit metalik e as të përballeshin me punonjësit e gardës. Shfuqizimi që Gjykata Administrative i bëri dënimit për përjashtimin nga Kuvendi të 24 të zgjedhurve demokratë i riktheu në Kuvend, ku që në nisje të seancës shënjestruan kryeparlamentaren Spiropali.

Gazment Bardhi: Duhet të dorëhiqeni nga funksionet se për 30 ditë keni penguar opozitën pa ligj dhe rregullore me urdhër të krimit të mos marrë pjesë në seancat plenare në kundërshtim me vendimet e Kushtetueses, Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit.

Të ndodhur përpara një vendimi të togave të zeza, pavarësisht rezervave për vendimin, socialistët thanë se do ta zbatojnë atë.

Taulant Balla: Ne e kemi thënë që nuk diskutojmë vendime të gjykatës. Gjykata Kushtueses ka thënë se vendimet e brendshme nuk mund të ankimohen.

Niko Peleshi: Ky është precedent që Gjykata Administrative merr atributet e Kuvendit dhe vendos.

Por demokratët insistuan se vendimi për përjashtimin e tyre ishte politik me urdhër të kryeministrit.

Flamur Noka: Ministri i Brendshëm duhet të japë përgjigje para ligjit, ti zonja Nafie ke futur Policinë e Shtetit, sepse këtu duhet të jetë vetëm Garda.

Elisa Spiropali: I ke pak të vjetëruara këto metaforat dhe krahasimet, por mua më kishe munguar në këtë foltore.

Gazment Bardhi s’u mjaftua vetëm me kryeparlamentaren, por në replika u përfshi edhe me Ministrin e Brendshëm, teksa gjatë seancës u njoh edhe me vendimin e SPAK-ut për të mos nisur hetimet pas referimit të Policisë së Shtetit për 23 deputetët që dogjën karriget në oborrin e Kuvendit. “Guxuat, futët Policinë e Shtetit në Kuvend dhe i thoni gjykatave të republikës që nuk paskan të drejtë të futen në veprimtarinë e Kuvendit.”

Ervin Hoxha: Policia ka bërë detyrën. S’ka hyrë në Kuvend. Turma që drejtohej nga ty po sillej drejt institucioneve kushtuese.

Kaq mjaftoi që Gazment Bardhi të shpërthente në akuza.

“Turmë je ti dhe çeta e hajdutëve që të rrethon ty dhe tët vëlla që do marrë në qafë veten dhe Ballukun bashkë me të. Është një hajdut në OSHEE që vjedh paratë e shqiptarëve. Nuk e di në lexove SMS-të që të kishte dërguar Rama apo banda e Durrësit, ushtari i së cilës je ti, të kanë zgjedhur ty si ministër i Brendshëm.”

Më të revoltuarit nga rradhët e opozitës ishin Nallbati e Sula, teksa ky i fundit me pranga në duar e uniformë të të burgosurve pasi ndau disa fletushka veshjen e tij ia la në tryezë Ministrit të Drejtësisë, duke e ftuar që të bëjë tenderin e radhës.

Dashnor Sula: Po i jap shansin qeverisë që siç bëri tenderin 350 Euro një kapele, bëni një tender edhe të burgosurit të vishen të shkretët me një Hugo Boss.

Bledion Nallbati: Flisni ju për ligj që keni përdhunuar Kushtetutën, edhe këto i vodhët?!

Akuzat ndaj Spiropalit dhe Ministrit të Brendshëm u pasuan nga ato për kreun e shtetit.

Saimir Korreshi: Shoku President, që vjen e bën fushatë në Lushnjë si me qenë kryetar bashkie, vjen me def e kitarë.

Elisa Spiropali: Respekt për Presidentin e Republikës. Nuk është këtu!

Gazment Bardhi: Sillet si ushtar i rëndomtë i Ramës. Duhet të ndalë përfshirjen e ambasadorëve të republikës në fushatën e PS, e kanë të ndaluar. Presidenti ka qenë në Skrapar dhe kishte në krah drejtuesin e qarkut të PS. Ai duhet të qëndrojë larg fushatës zgjedhore dhe të mos shitet për dy leje ndërtimi, për dy leje për djemtë e tij sepse Rama ja jep, po opozita ja nxjerr nga hundët.

Gjatë seancës plenare, Bardhi u përfshi në replika edhe me deputetin socialist Eduard Shalsi.

Gazment Bardhi: I kanë gjetur edhe 1.8 milion Euro që i ke të fshehta në emër të të tretëve dhe bëhu gati të shkosh t’i bësh një vizitë Çyrbes si banor në të njëjtën qeli.

Eduard Shalsi: Nëse ke këllqe shko bëj kallëzim. Unë nuk jam si disa prej jush, langaraq politik.

Tv Klan