Vihet në pranga një 49-vjeçar nga Tirana

Ky është momenti kur qeni antidrogë në portin e Durrësit zbuloi diçka të pazakontë në këtë kamion trajler me destinacion Barin e Italisë.

Siç duket edhe në këto pamje të siguruara nga Televizioni Klan, pas një kontrolli të imtësishëm, efektivët e policisë gjetën 68 pako të fshehura poshtë sediljeve të kamionit. Brenda tyre kishte rreth 38 kilogramë heroinë.

Në pranga u vu menjëherë shoferi 49-vjeçar i trajlerit. Ai është Dhimitër Zykaj, banues në Babrru të Tiranës. Ndaj tij rëndon tashmë akuza e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim”.

Pakot ishin të shënuar me kryqe me ngjyra të ndryshme, që tregon se heroina kishte destinacion për tre grupe të ndryshme kriminale.

Nga hetuesit mësohet se trajleri po transportonte një skaf të blerë nga një shtetas italian. Hetuesit po përpiqen të zbardhin nëse në këtë rast të trafikut të drogës ka edhe persona të tjerë të përfshirë në Shqipëri apo Itali. Vlera e drogës së sekuestruar arrin gati 1 milionë euro.

Tv Klan

Vendi në të cilin ishte fshehur lënda narkotike ishte me mekanizëm elektrik për t’u hapur, pranë dy hapësirave poshtë sediljeve të para. Mendohet se lënda është trafikuar nga njëjti grup që trafikoi në muajin Prill të këtij viti sasinë prej 20 kg heroinë po nga Porti i Durrësit, por që u kap në Itali. /tvklan.al