Olsi Bibollari, 38 vjeç, ka rënë në prangat e policisë pasi para 4 ditësh ka vjedhur 15 mijë euro në një banesë te “Komuna e Parisit” në Tiranë.
“Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Key” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës. Vodhi 15 000 euro në një banesë, arrestohet 38-vjeçari. Sekuestrohen shuma parash të dyshuara të vjedhura, që u gjetën në banesën e autorit të dyshuar, një automjet si dhe veshjet që autori ka përdorur gjatë ngjarjes. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe për vënien përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që i kryejnë ato, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Key”.
Si rezultat i tij u arrestua shtetasi O. B., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal. Ky shtetas dyshohet se më datë 25.08.2024, ka vjedhur shumën 15 000 euro në një banesë në Komunën e Parisit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash të dyshuara të vjedhura, një automjet, dhe veshje të cilat autori i dyshuar i ka përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes”, njoftojnë blutë./tvklan.al