Arrestohet në Greqi personi që porositi vrasjen e ish-komisarit të policisë, Artan Cuku. Në pranga është vënë Bledar Jambelli, 38-vjeçari nga Fieri i cili fshihej në shtetin helen edhe me emrin Rikardo Muho. Sipas prokurorëve, ai porositi vrasjen e Cukut duke i premtuar 20 mijë euro 24-vjeçarit nga Kuçova, Mikel Shallari. Ky i fundit e kreu krimin mbrëmjen e 8 Prillit të 2017, në hyrje të banesës së ish-komisarit të policisë në rrugën e Kosovarëve në Tiranë.
Jambelli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga 13 Qershori i 2017-ës, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për akuzën e “Vrasjes së Punonjësit të Policisë së Shtetit” e kryer në bashkëpunim. 38-vjeçarit iu vunë prangat në Athinë nga Interpoli grek dhe tashmë pritet të kryen procedurat e ekstradimit të tij në Shqipëri. Emri i Bledar Jambellit u përmend nga ekzekutuesi Mikel Shallari, i cili pas arrestimit pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të tregojë kush e porositi vrasjen e zyrtarit të lartë të policisë.
Shallari tha se Jambelli e kishte paguar me 3 mijë euro ndërsa pas krimit do t’i jepte edhe 17 mijë të tjera. Sipas tij, porosia u bë për hakmarrje pasi në 2012-ën, kur Cuku drejtonte policinë e Vlorës e kishte arrestuar Jambellin duke rihapur edhe hetimet për një vrasje të dyfishtë të kryer në 97-ën. Por për mungesë provash, ai ishte liruar. Pasi mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Mikel Shallari u dënua me vetëm 10 vite burg.
Tv Klan