Bledi Shkëmbi nuk priti gjatë dhe pak pasi e mbylli me futbollin e luajtur mori detyrën e trajnerit. Ish-kapiteni i Skënderbeut drejton prej këtij sezoni Lirinë e Prizrenit duke u bërë nga të parët trajnerë të Shqipërisë që kalojnë në anën tjetër të kufirit.
“Ishte një ftesë serioze dhe si herë e parë më mirë do të isha larg Shqipërisë, më pak presion. Besoj se deri më tani ka ecur mbarë.”
Futbolli i Kosovës njihet ndërkombëtarisht, një arsye më shumë për të qenë pjesë e tij.
“Që në momentin që Kosova është pranuar në UEFA patjetër që do të rritet niveli dhe do të shkojë i njëjtë me atë kampionati shqiptar.”
Futbollistë të njohur gjithashtu në Shqipëri si Endri Vrapi dhe Jetmir Sefa janë gjithashtu pjesë e Lirisë së Prizrenit. Ata tregojnë për përvojën e tyre dhe synimet e ekipit që renditet në vendin e pestë, 6 pikë larg kreut..
“Është garë e fortë dhe askush nuk e di se cili do të dalë kampion”, tha Vrapi.
“Kupa është një tjetër objektiv dhe duhet të japinm maksimumin që të arrijmë qëllimin”, tha Sefa.
Në Superligën e Kosovës drejtojnë edhe Mirel Josa te Prishtina dhe së fundi Gugash Magani, Trepçën 89’. Këto dy ekipe debutuan këtë sezon në kupat e Europës.
Tv Klan