Traditat familjare janë një nga arsyet më të bukura për t’u mbledhur të gjithë bashkë, e sidomos në festa. Çdo fundvit, në familjen e Rrahimit organizohet “Babagjyshi sekret” ku shorti zgjedh një anëtar të familjes që do të marrë një dhuratë të fshehtë. Këtë herë ishte radha e Rrahimit dhe ai zgjodhi studion  e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për të surprizuar Hajrien në “Ka Një Mesazh Për Ty”.

Ajo është gruaja e xhaxhait të tij të ndjerë, një nga komandantët e UÇK-së por s’u largua kurrë nga gjiri i familjes. Për Rrahimin, Hajria është një motër e madhe ndërsa familjes nga Prizreni i sjell shumë gëzim. Në studio, ai u maskua si një Babagjysh dhe qëndroi pranë saj pa lëvizur e pa u diktuar.

Kur Gjebrea i tha Hajries të kërkonte për dhurata te Babagjyshët, ajo vuri re se njëri prej  tyre ishte  disi më ‘i gjallë’ dhe njohu menjëherë Rrahimin.

Rrahim: Këtë dhuratë jo vetëm prej meje, por edhe prej xhaxhait e krejt familjes e ke. E di që gjithmonë ke pasur qejf të vish dhe shpresoj që ta kam realizuar 1% të ëndrrës.

Ardit Gjebrea: Shumë faleminderit!/tvklan.al