Rrahimi ka ardhur nga Prizreni në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të surprizuar një grua shumë të veçantë të familjes, Hajrien. Në një përmbledhje të shkurër rreth historisë së familjes, ai shpjegon për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se ajo është gruaja e xhaxhait të tij të ndjerë që ka shërbyer si komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Pasi ai ndërroi jetë, Hajria nuk u largua nga familja e të shoqit të ndjerë, por i rriti fëmijët e tyre aty.
Rrahim: Hajria është me të vërtetë një grua shumë e veçantë për mua, nuk e llogaris si gruan e xhaxhait por më shumë si një motër të madhe. Ajo ka një histori pak të trishtueshme sepse është gruaja e Ekrem Rexhës, komandant Drinit i cili është edhe ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po ashtu ai ka qenë edhe një ndër komandantët e parë që ka çliruar Prizrenin.
Ardit Gjebrea: Pra xhaxhai yt është një nga komandantët e UÇK-së dhe që ka marrë pjesë, por ka qenë edhe një ndër frymëzuesit për çlirimin e Prizrenit.
Rrahim: Po, pavarësisht se ai i ka shpëtuar plumbit të luftës dhe plumbit të pushtuesit serb, krimit pas luftës nuk ka mundur t’i shpëtojë. Më 8 maj të vitit 2000, atë e kanë vrarë disa njerëz që ende nuk e dimë se kush janë.
Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi me Hajrien pas vrasjes?
Rrahim: Pas lufte, ajo edhe pse ishte shtatzënë…
Ardit Gjebrea: Sa vjeçe ishte Hajria?
Rrahim: 26 vjeçe ishte në atë kohë, kishte një djalë, Drinin i cili mban nofkën e komandant Drinit, babait të tij dhe ishte shtatzënë me djalin e dytë, Ekremin, i cili mban emrin e babait të tij. Në atë moshë është pyetur nga ne familjarët se ashtu e do tradita atje, a ka dëshirë ajo të rrijë me familjen e burrit apo të vazhdojë jetën me familjen e saj. Siç e njohim ne krejt Hajrien, jo veç familja ime, por krejt Prizreni, ajo as nuk është menduar dy herë dhe ka vendosur menjëherë që nuk ka dashur t’i largojë fëmijët nga familja e burrit tësaj dhe i ka rritur e edukuar me të gjithë ne së bashku./tvklan.al