Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Komisioni parlamentar për marrëdhëniet me jashtë do të thërrasë ditën e martë ministrin e jashtëm Kastriot Islami, për të dhënë shpjegime rreth transparencës së borxhit të kryeministrit Fatos Nano, në Krans Montana në vitin 1998.

Ilir Zela: “Vendosëm të thërrasim në komision ministrin e punëve të jashtme zotin Islami, në lidhje me trajtimin që i është bërë nga ana e ministrisë së punëve të jashtme dhe shërbimit të jashtëm të Republikës së Shqipërisë, pretendimeve të ngritura nga zoti Calderon, për mos likuidimin e disa shpenzimeve të kryera nga delegacioni i kryeministrit të Shqipërisë në samitin e Krans Montanës të vitit 1998”.

Një kërkesë e tillë u propozua nga anëtarët e opozitës në komision, ku Islami duhet të raportojë në trajtimin që i është bërë nga ana e ministrisë së jashtme dhe shërbimit të jashtëm pretendimeve të ngritura nga presidenti i forumit të Krans Montanës Jean Paul Carteron, për mos likuidimin e disa shpenzimeve nga delegacioni i kryeministrit.

Nga anëtarët e opozitës u kërkua që në komision duhet të informojnë edhe ish-ministrat e jashtëm Meta dhe Milo,ndërsa nga republikani Fatmir Mediu u kërkua që Islami duhet të raportojë edhe për mënyrën e përfaqësimit të institucioneve shqiptare që lidhen me protokollin dhe autoritetin që ata shfaqin.

Fatmir Mediu: “Delegacioni shqiptar është më tepër i prirur të shkojë drejt tendencave personale se sa autoritetin kushtetues apo institucional të përfaqësimit të institucioneve. Mendoj që ka disa momente që komisioni i jashtëm duhet të jetë më i përcaktuar dhe më kërkues karshi përfaqësuesve të shtetit dhe strukturave shtetërore për të qenë sa më dinjitoz në kontaktet apo në përfaqësime”./tvklan.al